Vende

Festa në ‘dëborë’ – zgjedhja e shqiptarëve për këtë fundvit


Dëshira për të kaluar pushime nuk mbetet vetëm në sezonin veror. Sa vjen dhe te shqiptarët vihet re një tendencë për të kaluar edhe pushime dimërore.

Turizmi malor po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha, sidomos për festat e fundvitit, Krishtlindjet dhe Vitin e Ri.

Shqiptarët zgjedhin të festojnë natën e ndërrimit të viteve kryesisht te vendet me dëborë.

Zonat më të frekuentuara brenda vendit, sipas agjencive të udhëtimeve “Kledonis” dhe “Hima Travel”, janë në Juglindje të Shqipërisë, në Voskopojë, Dardhë dhe Vithkuq.

Pas nuk mbeten as Parku Kombëtar i Thethit, Vermoshi, Razma dhe Lugina e Valbonës, që janë pika turistike të njohura dhe të frekuentuara ndërkombëtarisht.

Edhe turisti Musa Gaxha për Albanian Post thotë se këtë vit, ndryshe nga 2020, ka zgjedhur që ta kalojë mbrëmjen e Krishtlindjes në një resort diku në Razëm.

“2020 ishte ndër vitet më të vështira për mua dhe familjen time. Nga pandemia ne qëndruam në izolim për shumë muaj. Ndaj, nevoja për të udhëtuar, sidomos për Krishtlindje, meqë masat janë lehtësuar, ishte më shumë se një domosdoshmëri”.

Sipas agjentëve të udhëtimeve, “për sa më sipër, shqiptarët shkojnë për një fundjavë, ose maksimumi 2-3 net”.

Për Albanian Post, ata zbulojnë se destinacione të tjera që kanë zgjedhur shqiptarët për festat e fundvitit, janë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

“Dubai dhe Stambolli”, thotë Silvia Karakushi, punonjëse në agjencinë “Hima Travel”, “janë dy destinacione të preferuara, ndoshta prej faktit se nuk ka edhe kufizime të rrepta prej pandemisë”.

Sa u përket paketave që zgjedhin shqiptarët, ajo shpjegon se “më shumë të interesuar janë për ato ‘all inclusive’, pra ku përshihen të gjitha”.

Një ndër vendet “më të prekshme”, thotë Karakushi, është Turqia.

“Një udhëtim drejt Stambollit, është i arritshëm pothuajse nga të gjithë, pasi për këtë destinacion ka një mori ofertash, duke iu përshtatur ‘buxheteve të ndryshme’”.

Operatorët turistikë janë të mendimit se ka gjithnjë zgjedhje ekonomike për të gjithë.

“Ofrohen një sërë destinacionesh brenda rajonit, kryesisht udhëtime me autobus”.

Spanja dhe Portugalia veçohen nga drejtuesit e agjencive, duke qenë se janë kthyer në një trend.

Megjithatë, të dyja këto vende pëlqehen më tepër nga çiftet e reja apo grupe shoqërore, duke qenë se janë udhëtime të cilat bëhen vetëm përmes tranzitit.

Të rinjve shqiptarë u shkon për shtat kjo zgjedhje.

“Shpesh”, shpjegojnë operatorët, “zgjedhin Aeroportin e Shkupit, i cili ka dhe çmime joshëse”.

Në panoramën e dimrit 2021, sipas tyre, nuk duhen lënë pa përmendur edhe “destinacionet ekzotike”, si Ishujt e Maldives, Dubai, Tajlanda etj.

Kryetari i shoqatës së “Tour-Operatorëve”, Besnik Vathi, për Albanian Post ravijëzon se “zbutja e masave ndaj COVID-19 ka bërë që fluksi i lëvizjeve të shqiptarëve që udhëtojnë jashtë në fundvit të rritet, në raport me një vit më parë”.

Vathi bën me dije se kusht i domosdoshëm për të gjithë udhëtarët është vaksinimi dhe testi i PCR-së.

Sakaq, nga “Hima Travel” thonë se, gjatë punës së tyre hasen me pyetje të shpeshta, që bëjnë njerëzit, që kanë zgjedhur t’i festojnë festat jashtë shtëpisë së tyre: a duhet të bëj test për COVID-19? Cilat janë kufizimet në vendin ku do të udhëtoj?

“Natyrisht”, thotë operatorja, “udhëtimi nuk do të jetë i njëjtë si dikur, por ndoshta kjo nuk është edhe aq negative”.

Ajo shpjegon se “qytetet do të jenë më të qeta, vendet e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s nuk do të jenë të mbipopulluara dhe do jetë kohë e mirë për turizëm qytetar”.

Megjithatë, sipas “Hima Travel”, nuk duhet të mbetemi pesimistë.

Duke uruar për një vit më të mbarë, agjencitë përmbyllin se “pavarësisht destinacionit që ju zgjidhni, duhet të tregoheni të kujdesshëm për të zbatuar çdo masë anti-COVID, vendosur nga autoritetet përkatëse”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore