Lajme

Ferrari premton makina elektrike “edhe më unike”


Te Ferrari, modelet elektrike dhe hibride duhet të përbëjnë 80 për qind të shitjeve të kompanisë deri në vitin 2030.

Kështu u ka thënë investitorëve prodhuesi i makinave luksoze, duke u zotuar të prodhojë makina “edhe më unike”, teksa bën kalimin drejt zero emetim.

“Besojmë se mund të përdorim motorin elektrik për të përmirësuar performancën e makinave tona”, ka treguar shefi ekzekutiv, Benedetto Vigna, kur zbuloi planin e ri të shumëpritur të kompanisë.

Sfida e Ferrari-t, ngjashëm si prodhuesit e tjerë të makinave sportive, shkon përtej investimeve të mëdha kapitale të nevojshme për të zhvilluar modele elektrike që mund të përputhen me performancën e lartë të paraardhësve me lëndë djegëse fosile.

Bateritë e sotme të automjeteve elektrike nuk mund të ofrojnë fuqinë e qëndrueshme të një makine sportive me motor me djegie.

Ndërkohë, Ferrari dhe rivalët e vet u shesin klientëve edhe një përvojë emocionale të përqendruar aktualisht në zhurmën e motorit të fuqishëm.

Teksa shkon drejt makinave elektrike, Ferrari duhet të sigurojë që klientët dhe investitorët e tij me vlerë të lartë neto të jenë së bashku në udhëtim.

“Gjithçka që bëjmë, do të fokusohet gjithmonë në të qenit një Ferrari i veçantë”, ka thënë kryetari i kompanisë, John Elkann.

“Grupi i mundësive të elektrifikimit dhe elektronikës do të na lejojë të bëjmë makina edhe më unike”, ka shtuar ai.

Po ashtu, kompania ka bërë me dije se do të zbulojë automjetin e parë sportiv – të mundësuar nga motori i fuqishëm me 12 cilindra – këtë shtator.

Sakaq, Vigna ka konfirmuar planet e prodhuesit italian të makinave për të prezantuar modelin e parë elektrik në vitin 2025. Ferrari ka njoftuar se do të nxjerrë 15 modele të reja nga viti 2023 deri nëvitin  2026.

Kompania pret që makinat plotësisht elektrike të përbëjnë 5 për qind të shitjeve në vitin 2025 dhe 40 për qind në vitin 2030, sipas Vigna.

Ferrari promises electric means 'even more unique' cars

Ndërsa modelet hibride duhet të rriten në 55 për qind të shitjeve në vitin 2025, nga 20 për qind që ishin në vitin 2021, përpara se të bien në 40 për qind në vitin 2030.

Vigna ka treguar se Ferrari do të zhvillojë dhe ndërtojë motorët e tij elektrikë dhe modulet e baterive për modelet e veta elektrike në një linjë të re montimi në fabrikën e vet në Maranello, Itali.

Dhe se kompania po punon me prodhuesit e baterive për të hulumtuar gjeneratën e ardhshme të baterive në gjendje të ngurtë, që mund të ruajnë më shumë energji se bateritë konvencionale të sotme.

Gjithashtu Ferrari pret të investojë 4.4 miliardë euro deri në vitin 2026, shumica e tyre në zhvillimin e produktit, duke ofruar fitime bazë prej 2.5-2.7 miliardë euro deri në atë vit.

Marrë nga “Reuters”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore