Lajme

Ferdinand Marcos Jr triumfon në zgjedhjet presidenciale të Filipineve


Ferdinand Marcos Jr ka arritur fitoren në zgjedhjet presidenciale, duke sinjalizuar një rehabilitim të jashtëzakonshëm për një nga familjet politike më famëkeqe të vendit.

Në 90 për qind të numërimit, Marcos Jr numëronte thuajse 30 milionë vota, më shumë se dyfishi i rivalit të tij, zëvendëspresidentit aktual Leni Robredo, një ish-avokat i të drejtave të njeriut.

Mbështetësit u mblodhën jashtë selisë së kampit të tij në qytetin Mandaluyong të hënën mbrëma, duke valëvitur flamurin e Filipineve teksa makinat që kalonin u binin borive.

“Le të presim derisa të jetë shumë e qartë, derisa numërimi të arrijë 100 për qind, atëherë mund të festojmë”, ka thënë ai.

“Shpresoj se nuk do të lodheni duke na besuar”, u ka thënë Marcos mbështetësve në Facebook, duke shtuar se “kemi shumë gjëra për të bërë”.

64-vjeçari kandidoi me sloganin “Së bashku do të ngrihemi sërish”, duke thirrur nostalgjinë për regjimin autoritar të babait të tij, të cilin familja dhe mbështetësit e kanë portretizuar si një epokë të artë në një fushatë të nxitur nga keqinformimet në internet.

Kjo teksa mediat sociale janë mbushur me histori të rreme që kanë lënë mënjanë mizoritë dhe korrupsionin e përhapur gjatë asaj periudhe.

Aq sa portretizimet kanë tmerruar të mbijetuarit e regjimit brutal të Marcos Sr. që mijëra kundërshtarë politikë i torturoi, i arrestoi, nën sundimin e tij.

Ai u rrëzua në revolucionin e Pushtetit Popullor në vitin 1986, kur familja u transportua në mënyrë poshtëruese nga pallati presidencial me helikopter dhe u largua në mërgim.

Që atëherë, familja ka kërkuar rivendosjen në politikë.

Sakaq, Marcos Jr mësohet se ka mbajtur një avantazh të qartë ndaj kundërshtarëve të tij në sondazhet e kryera në prag të votimi.

Por kandidatura e tij ka polarizuar opinionin dhe disa nuk besojnë se familja ka grabitur pasurinë e shtetit, pavarësisht vendimeve të gjykatave brenda dhe jashtë vendit.

Edhe pse Marcos Jr ka mohuar ekzistencën e ndonjë fushate keqinformimi në internet, ai ishte përfituesi dërrmues i pretendimeve të rreme që qarkullonin në mediat sociale.

Shumica e tyre ishin krijuar ose për të minuar reputacionin e kundërshtarëve ose për të përmirësuar imazhin e familjes së tij.

Përpara zgjedhjeve, Marcos Jr ka shmangur debatet televizive dhe intervistat sfiduese në media.

Fituesi i zgjedhjeve do ta marrë detyrën më 30 qershor për një mandat të vetëm gjashtëvjeçar.

 

Marrë nga “The Guardian”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore