Shqipëria

Felaj pezullon seancën pasi Berisha mësyn foltoren, ai e transmeton veten në media sociale


Është pezulluar përkohësisht seanca parlamentare në punimet e Kuvendit të Shqipërisë, pasi kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka mësyrë foltoren, së bashku me deputetë të tjerë nga kjo forcë politike, si shenjë revolte për minutazhin e diskutimeve të lënë në dispozicion gjatë mocionit të kërkuar për integrimin evropian.

Sipas rregullores së Kuvendin, ka shpjeguar fillimisht nënkryetarja e Parlamentit, Ermonela Felaj, koha e debatit për mocionin është caktuar të jetë katër orë.

Kështu, e ndarë barabar mes mazhorancës dhe opozitës.

Mirëpo, për grupimin e Berishës në strukturën e PD-së, minutazhet e caktuara kanë qenë prej dy minutash për secilin, duke marrë parasysh faktin se ata janë deputetë jashtë grupeve parlamentare, parë situatën e krijuar me përçarjen e demokratëve.

Kjo gjë, shkaktoi menjëherë revoltën e grupimit Berisha.

Kështu, ai me grupin e deputetëve shkuan drejt foltores, por menjëherë Felaj ndërpreu seancën.

Vetëm se, llogaritë nuk ishin bërë mirë, pasi Berisha, filloi ta transmetojë veten live në median e tij sociale Facebook, për të transmetuar mesazhin e tij.

Duke lëshuar një sërë akuzash ndaj Qeverisë dhe ministrave të kabinetit, Berisha ka vijuar të flasë pavarësisht ndërprerjes së seancës.

“Do e hapim Parlamentin, apo do të flasim nga Facebook-u”, pyeti Berisha Felajn, e cila në sfond po i bënte thirrje deputetëve demokratë të lëshonin foltoren, teksa këta nuk janë tërhequr.

Në të njëjtën mënyrë, kanë dalë të flasin me publikun përmes medias sociale të Berishës edhe deputeti Belind Këlliçi dhe Edmond Spaho, kur thirrjet e Felajt vijonin të ishin ato për qetësim të situatës.

Megjithatë, Berisha nuk është tërhequr.

“Fjalën nuk ma hiqni dot. Jam “live” në gjithë botën”, ka treguar më tej.

Pas rreth 10 minutash transmetimi në Facebook-un e Berishës, të dy palët kanë rënë dakord që të ketë vijim të seancës, teksa Berishës iu dha menjëherë fjala në Parlament.

“Ky është një akt shumë i shëmtuar, pasi doni të ndaloni fjalën e opozitës”, ka nënvizuar më tej ai. “Kjo tregon se keni frikë dhe tmerr nga e vërteta”.

Ndërsa në mbyllje, ai ka akuzuar kryeministrin, Edi Rama, se ka përdorur gjuhë fyese në sallën e Parlamentit javën e shkuar dhe për këtë çështje, ai ka kërkuar pezullimin e kreut të Qeverisë nga punimet e Kuvendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore