Auto

FedEx-i do të testojë dërgesat me startup-in Nuro të vetëdrejtimit


FedEx Corp dhe kompania e robotikës, Nuro, kanë njoftuar për një marrëveshje shumëvjeçare për të testuar automjete vetëdrejtuese në rrjetin e kompanisë së shpërndarjes së paketave, duke filluar me një program pilot në Houston.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se ky bashkëpunim vjen teksa kompanitë garojnë për të ulur koston e shpërndarjes në tremujorin e fundit, e cila u rrit gjatë periudhës së pandemisë.

Në fokus të kompanive do të jenë skenarët e dorëzimit ku automjeti me shpejtësi të ulët dhe pa pilot i Nuro-s mund të sigurojë “goditjen më të madhe për paratë”, ka thënë Cosimo Leipold, kreu i partneriteteve të Nuro-s.

Rebecca Yeung, nënkryetare e FedEx-it për teknologji të përparuar dhe inovacion, ka pohuar se kjo ka të ngjarë të përfshijë detyra joefikase si marrjet natën vonë në vendet larg vendndodhjeve të paracaktuara.

“Në vend që të dërgojmë një shofer për të marrë ato pako, një pajisje si Nuro mund të jetë super e dobishme”, ka shpjeguar Yeung, i cili e quajti lidhjen mes FedEx-it dhe Nuro-s një “angazhim shumë serioz, afatgjatë” që synon të zvogëlojë dhimbjet e kokës, jo drejtuesit njerëzorë.

Tanimë, automjetet Nuro po kryejnë dërgesa për operatorin e supermarketeve amerikane të quajtur Kroger Co dhe Domino’s Pizza Inc në zonën e Houston-it.

Gjithashtu kompania vazhdon të provojë teknologjinë e saj në Arizona.

FedEx-i, në një projekt të veçantë, po përdor robotin më të vogël të DEKA Research & Development Corp, i cili quhet “Roxo” për dërgesat, në të njëjtën ditë në Plano të Texas-it.

Edhe Rival United Parcel Service Inc (UPS) po përqendron përpjekjet e saj në dronë të dorëzimit pa pilot.

UPS-ja ka porositur furgonë elektrikë të dërgesave nga startup-i britanik, Arrival. Ato automjete janë të pajisura me sensorë dhe kamera që gradualisht duhet të mundësojnë veçori autonome, por prapë do të kërkojnë një drejtues njerëzor.

Reuters shkruan se transportimi i njerëzve përmes taksive që drejtojnë vetveten është më i vështirë dhe më i shtrenjtë sesa dorëzimi i paketave dhe ushqimit.

Për rrjedhojë, kompanitë e mallrave dhe logjistikës po eksplorojnë mënyra për të përhapur teknologjinë në linja të parashikueshme dhe të thjeshta, përfshirë këtu edhe autostradat.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore