Sport

FC Liqeni fiton Kupën e Kosovës në futsall


Skuadra nga Drenasi, FC Liqeni, ka bërë histori duke nisur sezonin debutues në Superligë me trofe.

FC Liqeni e ka fituar për herë të parë Kupën e Kosovës në futsall, duke mposhtur FC Liburnin vetëm pas kohës shtesë, pasi që koha e rregullt nuk solli fitues.

Ndeshja e zhvilluar në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, përfundoi me rezultat 3:3, deri sa në kohën shtesë skuadra nga Drenasi arriti që të triumfojë me shifrat 5:3.

Pjesa e parë u mbyll me rezultat 1:1, teksa të parët që kaluan në epërsi ishin FC Liburni.

Pjesa e dytë ishte më e mirë për skuadrën nga Drenasi të cilët shënuan dy gola, por gjakovarët barazuan rezultatin tetë sekonda para përfundimit të kohës së rregullt.

Në kohën shtesë që ishte dy herë nga pesë minuta, FC Liqeni arriti që të shënojë dy gola në secilën pjesë, kështu për tu bërë fituesi i Kupës së Kosovës në futsall për edicionin 2020/21.

Deri sa në rrugën drejt finales, Liqeni kishte mposhtur Malishevën, Pejën dhe Mabetex Prishtinën.

Për FC Liqenin padyshim që ky është një sukses i madh, duke marrë parasysh se si klub janë themeluar vetëm para dy viteve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore