Biznes

Fasonët i kërkojnë KQZ-së pezullimin e gjobave para dhe pas zgjedhjeve


Industria e fasonëve ka kërkuar që inspektimet e organeve tatimore dhe organeve të tjera shtetërore në ambientet e ushtrimit të aktivitetit të pezullohen me të paktën katër muaj para dhe pas zgjedhjeve.

Kërkesa është adresuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Shoqata Pro-Eksport Albania, e cila ka thënë se përfaqëson 700 fabrika të industrisë së veshjeve dhe këpucëve e që nga viti 2019-të ka dhënë mbi 40% të eksporteve dhe ka punësuar mbi 70 mijë persona.

Shoqata i ka dërguar një letër kreut të KQZ-së, Ilirjan Celibashit, ku ka kërkuar që të pezullohen të gjitha inspektimet dhe kontrollet nga organet inspektuese (tatimet, Inspektoriati i punës, doganat dhe Inspektoriati i mjedisit), për një afat kohor katër deri në pesë muaj para zgjedhjeve dhe katër deri në pesë muaj pas daljes së rezultateve.

Shoqata Pro Eksport Albania ka kujtuar se praktika gjobvënëse në kundërshtim me ligjet dhe vendimet e qeverisë janë vënë re edhe para edhe pas zgjedhjeve në të shkuarën. Pro Eksport Albania ka përmendur ligjin e miratuar në 2014-tën, i cili ka falur të gjitha masat administrative
të vendosura para dhe pas zgjedhjeve të 23 qershorit të 2013-tës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore