Lajme

Familjet e viktimave të shpërthimit në Bejrut kërkojnë dëmshpërblim


Përfaqësuesit ligjorë të familjeve të viktimave të shpërthimit në portin e Bejrutit i janë drejtuar një gjykate civile, për të kërkuar kompensim financiar nga dy deputetë të afërt me kryetarin e parlamentit Nabih Berri, për përfshirjen e tyre në fatkeqësinë e vitit 2020.

Familjet iu drejtuan gjyqtarit Zalfa al-Hassan, për të kërkuar që deputetët Ali Hassan Khalil dhe Ghazi Zoaiter të paguajnë dëmshpërblime të majme, duke i akuzuar ata për “abuzim të drejtësisë”.

Ata i kërkuan gjyqtarit të përcaktojë vendbanimin e tyre, në mënyrë që të mund të informohen për datat e planifikuara të hetimit dhe t’i detyrojë ata të paguajnë dëmshpërblim.

Një burim gjyqësor në gjykatën civile tha se çështja ka marrë rrjedhën e saj “në formë”, por në praktikë haset me vështirësinë në “informimin e politikanëve për datat e seancave të tyre”.

Një punonjës i ngarkuar me dhënien e urdhrave të gjyqtarit u përball me vështirësi për të arritur në shtëpitë e deputetëve, për shkak të mbrojtjes së sigurisë që ata gëzojnë.

Nëse deputetët nuk arrijnë të kontaktohen, thirrja e tyre do të publikohet në media.

Pamje gjatë shpërthimit në Bejrut, 4 gusht 2020

Gjykatat shpesh përdorin lëvizje të tilla kur të dyshuarit nuk përmbushin thirrjet dhe ata, më pas, konsiderohen si të arratisur.

Megjithatë, dështimi për të thirrur politikanë, shtëpitë e të cilëve janë përgjithësisht të njohura për publikun, shënon një precedent.

Shumë libanezë fajësojnë për shpërthimin në port, i cili vrau më shumë se 215 njerëz, zyrtarë të lartë politikë dhe të sigurisë.

Khalil dhe Zoaiter u akuzuan në dhjetor të vitit 2020, por mohojnë çdo keqbërje dhe kanë refuzuar të marrin pjesë në seancat e marrjes në pyetje, duke përmendur imunitetin që u është dhënë nga vendet e tyre në parlament.

Një urdhërarrest u lëshua për Khalilin, por nuk u zbatua nga forcat e sigurisë, të cilat përmendën imunitetin parlamentar.

Paditë ndaj deputetëve kërkojnë që ata të paguajnë një dëmshpërblim, prej rreth 3.5 milionë dollarësh, për dëmet e shkaktuara nga pengimi i drejtësisë.

Familjet filluan me Khalilin dhe Zoaiterin, sepse ata kanë qenë më të vendosur në shmangien e thirrjeve dhe u janë drejtuar ekipeve të tyre ligjore për të shmangur urdhrat e gjykatës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore