Lajme

Familjarët arrijnë vetëm pas 2 muajsh ta vizitojnë Gucatin, me 28 nëntor


Foto nga Albanian Post: Musli dhe Hysni Gucati

Pas gati dy muajsh, Musli Gucati, pikërisht në ditën e flamurit më 28 nëntor, ka arritur ta vizitojë babanë e tij Hysni Gucatin, ish-kreu i Organizatës së Veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili po e vuan dënimin në Hagë prej katër vitesh e gjysmë për veprat penale: pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtar.

Por, pavarësisht problemeve shëndetësore që i pati këtë muaj pasi u operua në këmbë për shkak të plagëve të marra gjatë luftës, tash ish kreu i OVL të UÇK-së është në gjendje të mirë.

“Këto ditë babai me shëndet qëndron mirë, por është duke përdorur terapi për rikuperim të plotë”, thotë Gucati për Albanian Post.

Musli dhe Gëzim Gucati

“Për shkak rrethanave shëndetësore të babait u dashtë të pres 2 muaj ta shoh, ishte ndjenjë e veçantë të takoj Hysin dhe shokët e tij në datën më të rëndësishme të popullit shqiptar 28 nëntor”, thekson ai.

Pos, babait ai tregon se i ka takuar edhe të burgosurit e tjerë në Hagë, të cilit sipas tij, ishin në disponim të mirë.

Madje me shpresë të madhe që shumë shpejt s’do të jenë më prapa grilave.

“Edhe pse të privuar nga liria me disponim ishin mirë dhe të motivuar e plotë shpresë që shumë shpejt do të kthehen në atdheun e tyre”, shton ai.

Musliu, gjatë takimit me disa ish-krerët e UÇK-së që po mbahen në paraburgim në Hagë si të akuzuar për krime lufte, thekson se ata ua uruan festën e flamurit të gjithë shqiptarëve.

“Fjalët e Hysit, Baces Jakup, Kadriut dhe Rexhes ishin ‘Urime 28 nëntori për gjithë shqiptarët’.

Në fillim të këtij muaji, Gucati, ishte operuar, por i është përkeqësuar gjendja në orët e vona dhe është dërguar me urgjencë në spital.

Paraprakisht familjarët e Gucatit ishin ankuar për vonesat që iu bënë të dënuarit me katër vjet burgim.

Hysni Gucati

Pse është dënuar Gucati nga Specialja?

Gucati nuk është i dënuar për krime lufte dhe as nuk është akuzuar për vepra të tilla.

Atje, ai po vuan dënimin prej katër vitesh e gjysmë për veprat penale: pengimin e administrimit të drejtësisë, shkeljes së fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtar.

Pasi kishin rrjedhur disa dokumente konfidenciale nga Gjykata Speciale, një person i maskuar ato dosje i kishte sjellur tek zyrat e OVL-së.

Organizata kishte vendosur që të njëjtat t’ua ofrojë gazetarëve.

Ky veprim është kuptuar nga Specialja si pengim i drejtësisë dhe ai, bashkë me nënkryetarin Nasim Haradinaj, ishin dërguar në Hagë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore