Shqipëria

Familja shqiptare ka shpenzuar më shumë gjatë vitit 2020


Referuar të dhënave të nxjerra nga Instituti i Statistikave (INSTAT), në vitin 2020, shpenzimet mesatare mujore për konsum të një familjeje janë 1.5 për qind më të larta se në vitin paraardhës.

Kjo do të thotë se shpenzimet mesatare mujore për konsum për një njësi ekonomike familjare, të përbërë mesatarisht nga 3.6 persona, janë 83 mijë e 475 lekë.

Në muaj, ky total i shpenzimeve për konsum është 64.2 miliardë lekë për 768 mijë e 963 familje.

Lidhja bëhet edhe me rritjen e çmimeve të konsumit.

Krahasuar me vitin 2019, ato rezultojnë 1.6 për qind më të larta.

INSTAT zbulon se uljen më të madhe të shpenzimeve mesatare për konsum mujor, në vitin 2020, e ka shënuar grupi “Argëtim dhe kulturë” me 26.4 për qind, ndërsa rritja më e madhe është shënuar në grupin “Shëndet” me 28.0 për qind.

Të marra në analizë, në vitin 2020, shpenzimet e bëra në grupin “Shëndet” kanë pësuar rritjen më të lartë si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupin “vitamina”.

Kurse shpenzimet e bëra në grupin “Restorante dhe hotele” kanë shënuar rritje prej 17.1 për qind.

Kjo, krahasuar me vitin 2019, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “qëndrime dhe shërbime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje brenda vendit”, si dhe shpenzime për “ushqim të shpejtë, përfshirë edhe shërbimet taxi të ofruesve të ushqimit”.

Ndërkaq, shpenzimet e bëra në grupin “Transport” kanë shënuar një rritje prej 5.7 për qind, rritje e cila ka ardhur kryesisht si rezultat i rritjes së shpenzimeve të nëngrupeve: “shpenzime për qira të garazheve/hapësirave të parkimit, si dhe “shërbimet taxi”.

Struktura e shpenzimeve të konsumit të NjEF, 2019 -2020

Sa i përket strukturës së shpenzimeve mesatare mujore për konsum, peshën më të madhe e zë grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike”.

Ky grup, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 34 mijë e 713 lekë, zë një peshë prej 41.6 për qind në buxhetin familjar.

Dhe nëngrupet më me peshë në të janë: “mish dhe nënprodukte” me 23.7 për qind, “perimet” me 16.8 për qind, “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 13.8 për qind, ndjekur nga “frutat” me 9.6 për qind.

Pas tij, grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8 mijë e 357 lekë, përbën 10.0 për qind të totalit të buxhetit familjar.

Kurse grupi “Mobilim, pajisje shtëpiake dhe mirëmbajtje e zakonshme e banesës”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 5 mijë e 794 lekë, zë 6.9 për qind të buxhetit gjithsej.

Dhe rritja më e lartë është shënuar në shpenzimet për nëngrupet “produkte për pastrim dhe mirëmbajtje shtëpiake”.

Shpenzimet mesatare mujore për konsum sipas qarqeve

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2020, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum.

Në këtë qark, një familje shpenzon për konsum mesatarisht 98 mijë e 737 lekë në muaj.

Ky i fundit ndiqet nga Korça me 83 mijë e 160 lekë dhe Fieri me 79 mijë e 839 lekë.

Ndërkohë, qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Kukësit me 70 mijë e 252 dhe i Dibrës me 71 mijë e 135 lekë në muaj.

Lidhur me rritjen më të madhe të shpenzimeve, e paraqet qarku i Elbasanit me 7.0 për qind, ndjekur nga qarku i Dibrës me 4.9 për qind.

INSTAT dallon se në vitin 2020, numri mesatar i anëtarëve të një familjeje është 3.6.

Kështu, qarku me numrin më të madh të anëtarëve është Kukësi me 4.2 anëtarë, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të anëtarëve, me 2.9 anëtarë.

Shpenzimet mesatare mujore për konsum të NjEF sipas qarqeve, 2020
Shpërndarja e shpenzimeve mesatare të konsumit, sipas tipit të njësisë ekonomike familjare

Në vitin 2020, në një familje të përbërë nga një person i vetëm me fëmijë në varësi, grupi ushqim zë peshën më të madhe prej 46.4 për qind.

Pesha më e lartë për shpenzimet për transport është regjistruar në strukturën e buxhetit të familjeve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me fëmijë, me 7.3 për qind.

Ndërsa në familjet e përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa fëmijë në varësi, pesha që zënë shpenzimet për arsim është më e lartë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore