Shqipëria

Familja Rasha largohet nga Shtëpia e Pushimit në Durrës


Katër fëmijët dhe Floresha Rasha, të kthyer nga kampi i Al-Hawl, tashmë janë larguar nga Shtëpia e Pushimit në Durrës.

Mësohet se Floresha Rasha është vendosur në një banesë të siguruar nga shteti bashkë me fëmijët. Ndërkohë Endri Dumani është marrë nga e ëma pas procesit të rehabilitimit.

Kryeministri Edi Rama, në mbrëmjen e së hënës të 26 tetorit mbërriti në Liban, ku takoi familjen Rasha. Ai i shoqëroi ata gjatë kthimit të tyre në atdhe.

“Më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar, sidoqoftë të suksesshëm. Dhe ajo që është edhe më e rëndësishme, është që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë, do të kthejmë edhe pjesën tjetër”, shprehej kryeministri Rama pas kthimit nga Siria të këtyre 5 personave në muajin tetor të vitit të kaluar.

Evakuimi i 4 fëmijëve dhe Floresha Rashës nga kampi “Al Hawl” u realizua nga bashkëpunimi mes qeverisë siriane me autoritetet Antiterror të Policisë së Shtetit në Shqipëri.

Kampi Al-Hawl u krijua fillimisht rreth 30 vjet më parë si një kamp refugjatësh për irakianë, të cilët u larguan nga kufiri në Siri, gjatë Luftës së Parë të Gjirit dhe që, më vonë, u rihap përsëri pas pushtimit të udhëhequr nga ShBA-ja në Irak si një nga tre kampet kryesore në kufiri Siri-Irak.

Qelizat e ISIS brenda kampit kanë formuar gjithashtu një “agjenci Hisbah” ose policinë islamike, kryesisht të përbërë nga gra të huaja.

ISIS e konsideronte kampin “Al Hawl” si burimin kryesor të mbështetësve të tij nga e gjithë bota, që janë vendosur në këtë kamp.

Deri në shkurt 2021, popullsia e kampit përllogaritej në më shumë se 60 mijë. Një vlerësim në shtator 2019 tregoi se kampi mbante rreth 20 mijë gra dhe 50 mijë fëmijë nga ish-Shteti Islamik i Irakut dhe Levant (ISIL) të ruajtur nga 400 luftëtarë të milicisë SDF.

Fëmijët e “luftëtarëve të huaj” të vrarë në luftime apo të kapur dhe të sjellë në këtë kamp, janë viktimat më të pafajshme të burrave dhe grave nga Shqipëria apo vendeve të tjera që u rekrutuan dhe u përfshinë në luftën për të ngritur ISIS. Floresha Rasha e ka humbur burrin e saj në luftime në vitin 2014.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore