Lajme

Falja e kredisë studentore: Biden anulon 10 mijë dollarë borxh studentor


Presidenti i SHBA-ve Joe Biden do të anulojë deri në dhjetë mijë dollarë kredi studentore federale për miliona amerikanë që fitojnë më pak se 125 mijë dollarë çdo vit.

Po ashtu do të falë 20 mijë dollarë borxhe për studentët në Grantet Pell, për ata që kanë nevojë më të madhe financiare.

Rreth 43 milionë amerikanë kanë detyrim një total prej 1.6 trilion dollarësh borxh federal studentor. Gati një e pesta, më pak se dhjetë mijë dollarë.

Pauza e përkohshme e kredisë studentore, e vendosur për herë të parë në mars 2020, do të zgjatet gjithashtu deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Biden ka treguar se plani i tij do t’u jepte më shumë hapësirë familjeve punëtore dhe të klasës së mesme.

“Barra është aq e rëndë saqë edhe nëse diplomohesh, mund të mos kesh akses në jetën e klasës së mesme që ofronte dikur diploma e kolegjit”, ka thënë ai.

Rreth një e treta e huamarrësve kanë borxh studentor, por pa diplomë, ka treguar Biden. “Më e keqja e të dy botëve”.

Njoftimi vjen pas më shumë se një viti debati intensiv të brendshëm të Shtëpisë së Bardhë dhe presionit në rritje nga demokratët progresivë.

Udhëheqësi i shumicës së demokratëve në Senat, Chuck Schumer i New York-ut dhe senatori Elizabeth Warren nga Massachusetts, janë ndër ata që e kishin shtyrë Biden-in të përdorte fuqinë e tij ekzekutive për të fshirë borxhet e huamarrësve.

Plani është më pak se plani prej 50 mijë dollarësh për huamarrës që kishin kërkuar Schumer dhe Warren.

Anulimi prej dhjetë mijë dollarësh për çdo huamarrës që fiton një maksimum prej 125 mijë dollarësh do t’i kushtojë qeverisë federale rreth 300 miliardë dollarë.

“Asnjë individ me të ardhura të larta apo familje me të ardhura të larta nuk do të përfitojë nga ky veprim”, ka thënë ai.

Por republikanët dhe disa demokratë të moderuar kanë thënë se anulimi i borxhit do të rrisë inflacionin duke u dhënë amerikanëve më shumë para për të shpenzuar.

Kurse të tjerë kanë thënë se falja e borxhit është e padrejtë ndaj atyre që kanë shlyer tashmë kreditë studentore.

Studentët me ngjyrë kanë më shumë gjasa të marrin hua studentore federale dhe në shuma më të larta se amerikanët e tjerë.

Katër vjet pasi marrin diplomën bachelor, huamarrësit me ngjyrë i detyrohen mesatarisht rreth 25 mijë dollarë më shumë se kolegët e tyre të bardhë.

Marrë nga “BBC”, përshtatur për “Albanian Post”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore