Lajme

Fajde e rrëmbim, tre zyrtarë policorë të arrestuar brenda javës në Kosovë


Dy shtetas të Maqedonisë u rrëmbyen të martën në qytetin e Gjilanit. Sipas Prokurorisë së kësaj komune, ata dyshohet se u mbajtën të lidhur në një villë në fshatin Stanishor të komunës së Novobërdës.

Sipas Policisë, të përshirë në këtë rast ishin pesë persona, dy prej tyre zyrtarë policorë.

Një ditë më pas, Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor iu kanë rënë në gjurmë të dyshuarave për veprën penale “Rrëmbim”.

“Dyshohet se të dyshuarit e tjerë i rrahën viktimat me armë, ku njërin nga ta e kanë zhveshur, duke e filmuar gjithë këtë ngjarje, video të cilën ia kanë dërguar vëllezërve të viktimave, njërit i cili është biznesmen në Maqedoni të Veriut dhe tjetrit që jeton në Zvicër, duke iu kërkuar para për lirimin e tyre”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Albanian Post.

Pos përfshirjes në veprën e rrëmbimit nga zyrtarët policorë në Gjilan, një kapiten i Policisë në Ferizaj dyshohet se ka kryer veprën penale “Fajde”.

Ai dy ditë më parë u arrestua nga Inspektorati Policor i Kosovës duke u kapur në flagrancë.

“Arrestimi i tij është bërë në flagrancë nga hetuesit e IPK-së në Ferizaj pas një hetimi të përbashkët me zyrtarët e Drejtorisë të Hetimeve të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës”.

“Në cilësi të provave janë konfiskuar një sasi e konsiderueshme e parave të gatshme”.

Kryeshefi i IPK-së, Kushtrim Hodaj tha për Albanian Post se gjatë vitit 2020 kanë pranuar dhe administruar 1 mijë e 658 ankesa, nga qytetarët për shkelje disiplinore të zyrtarëve policorë

Policia e Kosovës me anë të një përgjigje me shkrim për Albanian Post kanë bërë të ditur se 18 zyrtarëve policorë u është marrë arma zyrtare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore