Lajme

Fadil Berjani: Ka rritje të çmimeve të naftës, është e lehtë jo e theksuar


Fadil Berjani, Kryetar i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës

“Rritja po ndodhë çdo ditë, por nuk është e theksuar është e lehtë”, ka thënë për Albanian Post, Fadil Berjani, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, për rritjen e çmimit të naftës në vend së fundi.

“Nuk dua të bëj penikë te qytetarët, por çmimet në Berzë po rriten brenda ditës, ka shumë lëvizje, 3–4 herë brenda ditës luajnë çmimet”, vazhdon ai.

“Për shembull, për tre orë çmimi rritet për 30 dollarë, pas tre ore ky çmim bie për 40 dollarë e në mbrëmje, kur po mbyllet Berza, po hip sërish çmimi në 50 dollarë. Prandaj nuk po dimë as ne se çfarë të themi, por ka lëvizje të shumta”, shpjegon Berjani.

Kjo gjendje sipas kryetarit të Naftëtarëve nuk pritet të stabilizohet pa përfunduar lufta ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë.

“Kjo luftë e ka çrregulluar jo vetëm sektorin e tregun e naftës, por të gjithë sektorët”.

Megjithatë Berjani thotë se krahas vendeve të rajonit Kosova ka çmimet më të lira.

“Është çmim i tregut, nuk është aq i lartë krahas vendeve të tjera, por po është i lartë për qytetarët tanë, për shkak të standardit ekonomik që e kanë qytetarët në Kosovë. Është e vështirë, derivatet janë me çmim të art për standardin çfarë e kemi, por nuk varet kjo nga ne, ne jemi vetëm shitës”.

Berjani thotë se të gjitha kompanitë e derivateve në Kosovë këtë periudhë kohore po punojnë pa fitime.

“Sot është importi 1.66 – 1.67 – 1.65. Jemi duke fituar me 2-3 centë, veç punëtorët t’i mbulojmë, asgjë tjetër nuk po kërkon askush nga kompanitë”.

Këtë të mërkurë çmimet e derivateve kanë qenë: Dizelli 1.65 centë, kurse Benzina 1.66 centë.

Rritja e çmimeve të naftës dhe benzinës në Kosovë ka shënuar nivelin më të lartë në 20 vjetët e fundit, sipas Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës.

Për shkak të lëvizjes së shpeshtë të çmimeve, ka pasur dyshime se naftëtarët po i kurdisin çmimet.

Kurdisja e çmimeve ose marrëveshja për nivelizimin e çmimeve, është e ndaluar me Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës në Kosovë.

Për mbikëqyrjen e fenomeneve të tilla, institucion kompetent është Autoriteti Kosovar i Konkurrencës, i cili ka rreth 11 muaj që nuk është funksional dhe kjo për shkak të mungesës së Komisionit Kosovar të Konkurrencës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore