Aplikacione

Facebook-ut i kërkohet heqja dorë nga Instagram-i për fëmijë


Bazuar në pretendimin e një grupi të mbrojtësve të shëndetit publik, platforma Facebook duhet të heqë dorë nga planet e tij për të lëshuar një version të Instagram-it dedikuar fëmijëve.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se letra e dërguar nga Fushata për një Fëmijëri Jo Komerciale është nënshkruar nga 99 grupe dhe individë duke pretenduar se platforma “e fiksuar pas imazhit” është e rrezikshme për shëndetin dhe privatësinë e fëmijëve.

Gjatë javëve së kaluar, janë diskutuar planet për një version të Instagram-it nën moshën 13 vjeç dhe zotëruesi i saj, Facebook-u, ka deklaruar se versioni i ri do të “menaxhohej nga prindërit”.

“Tanimë fëmijët gjenden në internet dhe duan të lidhen me familjen dhe miqtë e tyre, të argëtohen dhe të mësojnë. Ne duam t’i ndihmojmë ta realizojnë këtë në një mënyrë të sigurt dhe të përshtatshme për moshën dhe të gjejnë zgjidhje praktike për problemin e vazhdueshëm të industrisë që gënjen fëmijët për të hyrë nëpër aplikacione”, ka thënë Facebook-u për BBC.

Ai ka shtuar se është duke punuar për metoda të reja të verifikimit të moshës. Kjo për të mbajtur fëmijët nën moshën 13 vjeç larg Instagram-it. Prandaj dhe kompania është duke punuar për një version dedikuar atyre që është më i përshtatshëm dhe që menaxhohet nga prindërit.

“Ne biem dakord që secila përvojë që zhvillojmë duhet t’i japë përparësi sigurisë dhe privatësisë së tyre dhe ne do të konsultohemi me ekspertë të zhvillimit, sigurisë dhe shëndetit mendor të fëmijëve, si dhe me mbrojtësit e privatësisë”, ka vazhduar Facebook-u.

Kompania ka zbuluar gjithashtu se “nuk do të shfaqim reklama në asnjë përvojë në Instagram që zhvillohet për fëmijët nën moshën 13 vjeç”.

Lidhur me letrën, nënshkruesit kanë theksuar se tanimë, përdoruesit nën moshën 13 vjeç nuk kanë gjasa të “braktisin” llogarinë e tyre në Instagram për versionin dedikuar moshës së vogël. Madje, objektivi i vërtetë për ta i versionit të ri është synimi i fëmijëve shumë më të vegjël.

Një nga pikat më thelbësore të letrës është edhe problemi në krijimin e imazhit të vetvetes te fëmijët.

“Fokusi i Instagram-it në ndarjen dhe pamjen e fotove e bën platformën të papërshtatshme për fëmijët që janë në mes të fazave thelbësore të zhvillimit të ndjenjës së tyre të vetvetes”, shkruhet në letër.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore