Aplikacione

Facebook-u nxjerr buletinin e vet për të rivalizuar Substack-un


Media sociale, Facebook, ka nxjerrë të martën e 29 qershorit produktin e vet të buletinit të quajtur “Buletin”, një platformë e pavarur për artikuj dhe podcast-e, me dhe pa pagesë, që do të synojnë të rivalizojnë Substack-un.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se shefi ekzekutiv i kompanisë, Mark Zuckerberg, ka prezantuar platformën, e cila gjendet drejtpërdrejt në Bulletin.com dhe gjithashtu ka prezantuar disa nga autorët që kompania ka rekrutuar në një dhomë audio në Facebook.

Kjo lëvizje e ndërmarrë konsiderohet si presion për të konkurruar në trendin e buletinit me postën elektronike me rritje të shpejtë, pasi gjatë vitit të kaluar, gazetarë dhe autorë të profilit të lartë, kanë lënë kompanitë mediatike për të dalë vetë.

Rivali Substack, platformë vetë-botuese, është një lider në ndihmesën e autorëve për të shitur abonime në email dhe “i ka joshur gazetarët me para në dorë”.

Të tjerat kompani të teknologjisë, marrë shkas nga kjo po konkurrojnë në këtë fushë, duke përfshirë këtu edhe Twitter-in, i cili siguroi platformën e gazetës së quajtur Revue.

Reuters shkruan se Facebook-u në fillim nuk do të marrë të ardhurat e krijuesve të “Buletin-it” dhe krijuesit mund të zgjedhin vetë çmimet e tyre të pajtimit.

Media sociale po e lancon platformën e vet me një numër personalitetesh dhe shkrimtarësh të profilit të lartë, duke përfshirë drejtuesin sportiv Erin Andrews, autorin Malcolm Gladwell dhe yllin e “Queer Eye” Tan France.

Lidhur me artikujt dhe podcast-et, ato do të jenë në dispozicion edhe përmes Facebook News Feed-it dhe seksionit News.

“Ne e ndërtuam Buletin-in në një faqe të veçantë interneti për t’u dhënë mundësi krijuesve të rrisin audiencën e tyre në mënyra që nuk varen ekskluzivisht nga platforma e Facebook-ut”, është shkruar në faqen e re.

Dhe se fillimisht, faqja do të nisë me krijuesit amerikanë dhe nuk do të pranojë të rinj në këtë kohë. Por ka ravijëzuar se “Buletin-i” ishte në dispozicion në të gjithë botën dhe do të kërkonte të shtonte më shumë emra ndërkombëtarë pas testit beta.

Pak muaj më parë, Facebook-u ka pasur një marrëdhënie të trazuar me industrinë e lajmeve, e cila kulmoi në muajin shkurt pas një përplasjeje me qeverinë australiane rreth pagimit të mediave për përmbajtjen.

Mirëpo, pas këtij konflikti, kompania teknologjike u zotua të investonte një miliard dollarë globalisht në industrinë e lajmeve gjatë tre viteve të ardhshme.

Ndërsa në muajin prill, Facebook-u ka njoftuar se do të paguante pesë milionë dollarë për të rekrutuar gazetarë të pavarur vendas për të shkruar për platformën e re botuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore