Aplikacione

Facebook-u mund të riemërohet së shpejti


Javën e ardhshme, pritet që gjiganti i teknologjisë, Facebook, të ndahet nga e kaluara e vet, duke riemëruar kompaninë.

E përditshmja “The Guardian” tregon se shefi Mark Zuckerberg, planifikon të flasë për ndryshimin e emrit në një ngjarje të kompanisë që do të mbahet javën që vjen.

Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që të zbulohet edhe më shpejt, ka raportuar faqja teknologjike, “The Verge”.

Por vetë kompania, përmes një deklarate ka bërë me dije se “nuk komenton thashethemet ose spekulimet”.

Sipas planeve, Facebook-u do të ndryshonte emrin e kompanisë mbajtëse, por jo atë të platformës së mediave sociale.

“The Verge” ka mëshuar në raportimin e vet dhe ka zbuluar se emri i ri për kompaninë mbajtëse mund të lidhet me Horizon, një fjalë e përdorur në të paktën dy produkte të realitetit virtual që kompania po zhvillon.

Kanë kaluar 17 vjet që kur Zuckerberg prezantoi kompaninë si TheFacebook dhe që tanimë, zotëron Instagram-in, WhatsApp-in dhe markën e realitetit virtual të quajtur  Oculus.

Për emrin e ri, mendohet se ka lidhje me një ribrandim në sfondin e krizave që ka kaluar kompania ndër vite.

Më herët, ish-punonjësja Frances Haugen, ka nxjerrë dhjetëra mijëra dokumente të brendshme të Facebook-ut dhe ka dhënë një dëshmi për senatorët amerikanë, në të cilën tha se kompania vendosi fitimet para njerëzve.

Ekzistojnë edhe ide të tjera. “The Verge” mendon se është realiteti virtual shtytësi i ndryshimit të emrit pasi kompania po fokusohet në ndërtimin e një metaverse, si gur themeli i një strategjie të re të rritjes.

Për sa i përket njoftimit, mund të jepet në konferencën vjetore të produktit të kompanisë, Connect, më 28 tetor. Atje do të zbulohen edhe detaje të tjera mbi metaverse.

Kjo pasi produktet Oculus do të jenë kyçe në metaverse, një koncept që përfshin njerëzit që udhëheqin jetën e tyre shoqërore dhe profesionale përmes kufjeve të realitetit virtual.

Gjithashtu kompania po zhvillon edhe një platformë sociale të realitetit virtual të quajtur Horizon Worlds, si dhe një shërbim takimesh të realitetit virtual të quajtur Horizon Workrooms, tregon “The Guardian”.

Nëse do të ndodhë vërtetë, lëvizja e ribrandimit të Facebook-ut nuk është pa precedent.

Në vitin 2015, Google-i u riemërua si Alphabet, duke reflektuar vendosmërinë për të hyrë në fusha të reja në teknologji, siç janë makinat vetë-drejtuese.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore