Aplikacione

Facebook-u, kufizime për shënjestrimin e përdoruesve nën 18 vjeç nga reklamuesit


Media sociale, Facebook, ka njoftuar se do të ndalojë lejimin e reklamuesve për të synuar përdoruesit nën 18 vjeç në platformat e saj bazuar në interesat e tyre ose veprimtarinë e tyre në faqet e tjera.

Agjencia e lajmeve, “Reuters”, tregon se së shpejti reklamuesit do të jenë në gjendje të synojnë përdoruesit nën 18 vjeç vetëm sipas moshës, gjinisë ose vendndodhjes në Facebook, shërbimin e tij Messenger dhe platformën e saj të ndarjes së fotove Instagram.

Nëpërmjet një postimi në blog, Instagram-i ka njoftuar se po bënte ndryshimin teksa ra dakord me avokatët e të rinjve pasi të rinjtë mund të mos ishin të pajisur për të marrë vendime në lidhje me shënjestrimin e reklamuesve.

Nga ana tjetër, edhe përdoruesit nën 16 vjeç të platformës, do të fillojnë të kenë një llogari private kur ata bashkohen në platformë. Kjo në një përpjekje për të ndaluar kontaktet e padëshiruara nga të rriturit.

Megjithatë, atyre do t’u jepet mundësia të kalojnë në një llogari publike, madje edhe përdoruesit aktualë mund ta mbajnë llogarinë e tyre si publike.

Pas zbulimit të planeve për të lëshuar një version të Instagram-it për fëmijë nën 13 vjeç, qasja e Facebook-ut ndaj përdoruesve më të rinj ka qenë në qendër të vëmendjes nga ligjvënësit dhe avokatët e përgjithshëm amerikanë.

Në fillim të këtij viti, një grup prej më shumë se 40 avokatësh të përgjithshëm të shtetit i shkroi shefit ekzekutiv të kompanisë, Mark Zukerberg, duke kërkuar rrëzimin e idesë.

Por vetë kompania ka thënë se ideja e një aplikacioni të përqendruar te të rinjtë është t’u sigurojë prindërve një transparencë dhe kontroll më të madh se çfarë po bëjnë fëmijët më të vegjël që duan të hyjnë në Instagram.

Facebook-u nuk është kompania e vetme që ka plane të tilla. Edhe disa kompani të mëdha të mediave sociale kanë botuar versione të aplikacioneve të tyre për audiencat më të reja.

“Reuters” tregon se për këtë lëvizje ka dy kampe. Ithtarët argumentojnë se fëmijët janë tashmë në një platformë dhe kështu një version familjar siguron një mjedis më të sigurt, kurse kritikët thonë se Facebook-u nuk duhet të përpiqet të tërheqë fëmijët e vegjël në shërbimet e tij për shkak të rreziqeve në zhvillimin e tyre, shëndetin mendor dhe privatësinë.

Nga ana tjetër, është edhe verifikimi i moshës së fëmijëve që është e pranishme në shumë faqe të mediave sociale, të cilat ndalojnë fëmijët nën 13 vjeç, por që shpesh dështojnë të identifikojnë dhe heqin përdoruesit e mitur.

Kreu i produkteve të të rinjve në Facebook, Pavni Diwanji, ka shkruar në blog se kompania po përdorte inteligjencën artificiale për të përmirësuar këtë verifikim dhe për të hequr llogari të të miturve.

Gjithashtu Instagram-i ka bërë me dije se po e bënte më të vështirë në disa vende për të rriturit që kanë treguar sjellje potencialisht të dyshimta për të gjetur llogaritë e të rinjve, ose përmes kërkimit të emrave të përdoruesve ose duke u sugjeruar llogaritë atyre.

Ndër të tjera platforma ka siguruar se do të parandalonte të rriturit e tillë të shihnin komente nga të rinjtë në postimet e të tjerëve dhe se të rriturit nuk do të ishin në gjendje të linin komente në postimet e të rinjve.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore