Aplikacione

Facebook-u kërkon hedhjen poshtë të akuzave


Media sociale, Facebook, i ka kërkuar një gjykatësi amerikan të hedhë poshtë akuzat kundër kompanisë për sjellje anti-konkurruese.

Agjencia e lajmeve, BBC, zbulon se çështja ka të bëjë me padinë e ngritur kundër Facebook-ut për sjellje të pretenduara anti-konkurruese nga Komisioni Federal i Tregtisë (FTC) dhe 45 shtete. Kjo padi është ngritur në muajin dhjetor.

Ata kërkuan veçimin e kompanisë, e cila është zotëruese edhe e dy platformave të tjera të ndërlidhjes, Whatsapp dhe Instagram.

Ditën e mërkurë, më datë 10 mars, kompania i ka kërkuar gjykatësit të hedhw poshtë çështjen duke e cilësuar ankesën e shteteve si “të pakuptimtë”.

BBC sqaron se në një deklaratë Facebook-u ka thënë se çështja “injoron realitetin e industrisë dinamike, tepër konkurruese të teknologjisë së lartë në të cilën funksionon Facebook-u”.

Nga ana tjetër, FTC-ja ka afat deri më datë 7 prill për t’u përgjigjur.

Sipas FTC-së, pretendohet se blerja nga Facebook-u i dy platformave të tjera është bërë për të “eleminuar kërcënimet ndaj monopolit të saj”.

Kompania e ka blerë platformën Instagram në vitin 2012 për shumën 1 miliard dollarë ndërsa Whatsapp-in në vitin 2014 për 19 miliardë dollarë.

Nëse kërkesa e FTC-së për veçimin e Facebook-ut do të konkretizoj në një vendim, do të ishte një vendim historik kundër Big Tech-ut.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore