Aplikacione

Facebook-u investon për lajmet


Media sociale, Facebook, ka deklaruar se do të investojë një bilion dollarë në industrinë e lajmeve përgjatë tre viteve të ardhshme.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se ky angazhim i Facebook-ut, ndjek investimin një bilion dollarësh të Google-it vitin e kaluar. Kjo për shkak se kompanitë e teknologjisë janë vënë nën vëzhgim për modelin e biznesit që ndjekin dhe për përhapjen e dezinformimeve.

Ky nuk është investimi i parë që platforma Facebook kryen në mbështetje të industrisë së lajmeve. Sipas Reuters, që prej vitit 2018, Facebook-u ka investuar 600 milionë dolllarë në këtë industri.

Lëvizja e Facebook-ut vjen pas një kohe mosmarrëveshjeje me Australinë për shkak të ligjit të propozuar i cili detyronte kompanitë teknologjike të paguanin kundrejt aksesit në përmbajtjen e lajmeve.

Mosmarrëveshjet u mbyllën javën e kaluar me rikthimin e seksionit të lajmeve për përdoruesit australian pas bllokimit nga vet platforma.

Sipas Reuters, Facebook-u ka shtuar se është në negociata aktive me botuesit gjermanë dhe francezë të lajmeve lidhur me pagesën kundrejt përmbajtjeve të lajmeve.

Ato mundësohen përmes opsionit Facebook News në të cilin përdoruesit mund të gjejnë tituj dhe histori të lajmeve të sugjeruara në mënyrë të personalizuar.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore