Aplikacione

Facebook-u dhe YouTube-i, fajtorë për përhapjen e dezinformimeve mbi vaksinat


Jo vetëm Facebook-u, por edhe YouTube-i është në listën e Shtëpisë së Bardhë për platformat e mediave sociale përgjegjëse për një përhapje alarmante të dezinformimit në lidhje me vaksinat COVID.

Dhe sipas zyrtarëve, platformat nuk po bëjnë sa duhet për ta ndaluar dezinformimin.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se këto kritika vijnë vetëm një javë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, e quajti Facebook-un dhe kompanitë e tjera të mediave sociale “vrasëse” për dështimin në ngadalësimin e përhapjes së dezinformimeve lidhur me vaksinat.

Mirëpo, prej asokohe presidenti amerikan e ka zbutur tonin e tij ndaj kompanive.

Nga ana tjetër, një zyrtar i lartë i administratës ka treguar se një nga problemet kryesore është “zbatimi i paqëndrueshëm”.

Për sa i përket dy platformave kryesore, YouTube dhe Facebook, ato marrin vendimin se çfarë cilësohet si keqinformim në platformat e tyre. Por rezultatet e kanë lënë Shtëpinë e Bardhë të pakënaqur.

“Facebook-u dhe YouTube-i…janë gjykatësi, juria dhe ekzekutuesi kur bëhet fjalë për atë që po ndodh në platformat e tyre”, është shprehur një zyrtar i administratës, duke shtuar se “ato i vlerësojnë vet detyrat e shtëpisë së tyre”.

Dhe disa nga elementët e dezinformimit mbi vaksinat që administrata Biden po i lufton, përfshijnë hipotezat se vaksinat COVID-19 janë joefektive, pretendime të rreme se ato mbajnë mikroçipa dhe se dëmtojnë lindshmërinë e grave.

Kohët e fundit, kompanitë e mediave sociale janë kritikuar nga Biden-i dhe sekretari i tij për shtyp, Jen Psaki, të cilët kanë thënë se e gjithë përhapja e gënjeshtrave rreth vaksinave po e bën më të vështirë luftimin e pandemisë dhe shpëtimin e jetës.

Madje, prej një raporti të fundit nga Qendra për Luftimin e Urrejtjes Digjitale (CCDH) ka dal se 12 llogari anti-vaksina po përhapin gati dy të tretat e keqinformimit anti-vaksinë në internet. Dhe se gjashtë nga ato llogari janë ende duke postuar në YouTube.

“Ne do të dëshironim të bënim më shumë nga të gjithë” për të kufizuar përhapjen e informacionit të pasaktë nga ato llogari, ka thënë zyrtari.

Reuters shkruan se lufta kundër keqinformimit të vaksinave është bërë një përparësi kryesore për administratën Biden.

Kjo në një kohë kur ritmi i vaksinimeve është ngadalësuar në mënyrë të konsiderueshme pavarësisht nga rreziku që paraqet varianti Delta, me njerëz që nuk pranojnë të vaksinohen.

Elena Hernandez, zëdhënëse e YouTube-it, ka thënë se që nga marsi i vitit 2020, kompania ka hequr mbi 900 mijë video që përmbajnë dezinformime dhe se ka mbyllur kanalet në YouTube të njerëzve të identifikuar në raportin e CCDH-së.

“Nëse ndonjë kanal i mbetur i përmendur në raport shkel politikat tona, ne do të marrim masa, duke përfshirë edhe mbylljen e përhershme”, ka siguruar ajo.

Gjithashtu YouTube-i ka bërë me dije se do të shtojë informacione më të besueshme shëndetësore dhe skeda për shikuesit që të klikojnë në to.

Kurse, zyrtari i lartë i administratës ka përmendur katër çështje mbi të cilat administrata i ka kërkuar Facebook-ut të sigurojë të dhëna specifike, por kompania ka qenë e rezervuar për t’i përmbushur ato.

Këto përfshijnë se sa informacione të gabuara të vaksinës ekzistojnë në platformën e tij, kush po sheh pretendime të pasakta, çfarë po bën kompania për t’i arritur ato dhe si i di Facebook-u hapat që po ndërmerr.

Por ai ka thënë se përgjigjet që Facebook-u ka dhënë nuk janë “të mira mjaftueshëm”.

Kevin McAlister, zëdhënës i kompanisë, ka treguar se kompania ka hequr mbi 18 milionë dezinformime mbi COVID-19 që nga fillimi i pandemisë.

Dhe se të dhënat e veta tregojnë se për njerëzit në Shtetet e Bashkuara që përdorin platformën, hezitimi i vaksinave ka rënë me 50 për qind që nga janari dhe pranimi i vaksinave është i lartë.

Zyrtari ka theksuar se shqetësimi i gjerë i administratës Biden është që platformat “ose na gënjejnë dhe po e fshehin topin, ose nuk po e marrin seriozisht dhe nuk ka një analizë të thellë të asaj që po ndodh në platformat e tyre”.

Ai ka vijuar se “kjo vë në pikëpyetje çdo zgjidhje që kanë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore