Aplikacione

Facebook, pushim me pagesë për punonjësit e dhunuar


Sheryl Sandberg, shefja e operacioneve të Facebook-ut, është shprehur se kompania e mediave sociale po shtrin politikën e saj të pushimit me pagesë për punonjësit që janë viktima të sulmeve seksuale dhe abuzimit në familje në një kohë kur dhuna në familje është në rritje.

Agjencia e lajmeve, Bloomberg, zbulon se punonjësit në të gjithë botën do të jenë në gjendje të marrin deri në 20 ditë pushim të paguar nëse ata ose një i afërm i tyre ka qenë viktimë e një krimi.

Shtrirja e politikës mbështetëse vjen pasi vetëm punonjësit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës lejoheshin të merrnin leje pa pagesë dhe vetëm në rastet kur ishin viktima të krimit.

“Është një situatë kur keni nevojë për pushim të paguar dhe jo vetëm për veten tuaj, por edhe për një të afërm”, është shprehur Sandberg gjatë një diskutimi në Samitin e Barazisë së Bloomberg-ut.

Lëvizja e Facebook-ut vjen si pasojë e një viti të vështirë të izolimit prej pandemisë, i cili ka çuar në rritje të dhunës në familje. Këtë e ka vërtetuar edhe një studim i kryer nga Universiteti i Harward-it që ka vlerësuar se masat e distancës sociale rrisin dhunën në familje me afro 6%.

Në samit, në krah të Sandberg-ut ishte edhe zyrtarja kryesore e diversitetit në Facebook, Maxine Williams, me të cilën u diskutua se si media sociale më e madhe në botë po përpiqet të diversifikojë fuqitë e saj punëtore. Pjesë e diskutimit ishte edhe heqja e gjuhës së urrejtjes nga platforma dhe trajtimi i paragjykimeve ndaj grupeve të nënpërfaqësuara.

Bloomberg tregon se të dy drejtuesit dënuan dhunën në rritje kundër aziatikëve. Gjithashtu u kanë bërë thirrje qeverive dhe kompanive për të adresuar fenomenin e disproporcionalitetit të fuqisë punëtore të grave gjatë pandemisë.

Një rast i tyre është kërkesa në rritje nga gratë që dëshironin të linin vendin e punës për shkak se kërkesat në shtëpi ishin në rritje prej izolimit. Zgjidhja e Sandberg-ut për këtë problem ishte ndarja e detyrave shtëpiake mes burrit dhe gruas dhe gjithashtu ofrimi nga kompanitë amerikane të pushimeve familjare për punonjësit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore