Aplikacione

Facebook gjobitet për shkeljen e urdhrit mbi blerjen e Giphy-t


Kompania Facebook është gjobitur me 50.5 milionë paund për shkelje të një urdhri të vendosur nga rregullatori i konkurrencës në Mbretërinë e Bashkuar.

Urdhër, i cili është vendosur gjatë hetimit për blerjen e faqes së internetit që shërben për krijimin e gif-ve, Giphy.

E përditshmja “The Guardian” tregon se Autoriteti i Konkurrencës dhe Tregjeve (CMA) e ka nisur hetimin e thelluar mbi blerjen e Facebook-ut prej 400 milionë dollarësh këtë vit.

Referuar autoritetit, kompania e rrjeteve sociale ka refuzuar “me qëllim” të siguronte informacion që provonte se ishte në përputhje me zbatimin e një urdhri fillestar (IEO).

Kur jepet IEO-ja, një kompani duhet të ndalojë çdo integrim të mëtejshëm të një biznesi që është blerë dhe ta lejojë atë të konkurrojë siç do të kishte vepruar para bashkimit, derisa CMA të përfundojë hetimin.

“Ky duhet të shërbejë si një paralajmërim për çdo kompani që mendon se është mbi ligjin”, ka thënë Joel Bamford, drejtor i bashkimeve në CMA.

“E paralajmëruam Facebook-un se refuzimi i tij për të na dhënë informacion të rëndësishëm ishte një shkelje e urdhrit, por edhe pasi humbi apelin e tij në dy gjykata të veçanta, ai vazhdoi të shpërfillte detyrimet e tij ligjore”, ka shtuar drejtori.

Ndërkaq, autoriteti ka bërë me dije se ishte hera e parë që një kompani kishte “refuzuar me vetëdije” të siguronte informacione nën një IEO dhe gjithashtu “konsideron se dështimi i Facebook-ut për t’u pajtuar ishte i qëllimshëm”.

CMA-ja ka vijuar se Facebook-u “kufizoi ndjeshëm” fushën e azhurnimeve që duhej të siguronte, duke provuar se ishte në përputhje me urdhrin pavarësisht paralajmërimeve të përsëritura”.

Kështu, rregullatori “ka lëshuar një gjobë për këtë shkelje të madhe, e cila në thelb minoi aftësinë e tij për të parandaluar, monitoruar dhe rregulluar çdo çështje”.

Lidhur me hetimin, ai nisi pasi CMA-ja identifikoi një seri shqetësimesh në lidhje me marrjen e Giphy-t, i cili rezulton furnizuesi më i madh i gif-ve të animuar në rrjetet sociale.

“The Guardian” tregon se çështjet e identifikuara nga CMA-ja përfshijnë ndërprerjen e furnizimit me gif-e për rivalët e kompanisë, duke kërkuar më shumë të dhëna nga klientët e Giphy për të vazhduar përdorimin e shërbimit.

Gjithashtu edhe heqjen e një konkurrenti të mundshëm nga tregu prej 5.5 miliardë paund i reklamave digjitale në Mbretërinë e Bashkuar, ku Facebook-u është lojtari më i madh që zë më shumë se gjysmën e tregut.

Përpos kësaj, marrëveshja mes dy kompanive po hetohet edhe në Australi dhe Austri, të cilat e kanë gjobitur Facebook-un me 9.6 milionë euro në muajin korrik për mungesën e njoftimit të rregullatorit austriak të konkurrencës për blerjen.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore