Futboll

FA dënon Ronaldo-n me gjobë dhe dy ndeshje mos-lojë


Cristiano Ronaldo thuhet se është përjashtuar për dy ndeshje dhe është dënuar me 50 mijë funte gjobë nga Federata e Futbollit të Anglisë.

Ky dënim erdhi për CR7 pasi kishte hedhur në tokë celularin e një tifozi të mitur.

Në prill, lojtari i atëhershëm i Mançester United u akuzua për “sjellje të pahijshme  dhe të dhunshme” pasi ai u shfaq duke e gjuajtur telefonin e një tifozi në tokë pas ndeshjes së skuadrës së tij kundër Everton-it në “Goodison Park”.

Siç raporton “The Mirror”, FA do të shpallë dënimin e Ronaldo-s gjatë ditës së mërkure, ndërsa do të japë një shpjegim të plotë me shkrim për sanksionimin e 37-vjeçarit.

Ndalimi do të thotë që nëse Ronaldo nënshkruan për një klub tjetër në Premier League, ai nuk do t’i luajë dy ndeshjet e para.

Të martën në mbrëmje, u konfirmua se Ronaldo dhe United kanë rënë dakord reciprokisht për të ndërprerë kontratën e pesë herë fituesit të Topit të Artë pas intervistës së tij shpërthyese me Piers Morgan.

Gjatë intervistës, Ronaldo sulmoi klubin, ish-menaxherin, Ralf Rangnick, trajnerin aktual, Erik ten Hag dhe gjithashtu sulmoi ish-bashkëlojtarët Ëayne Rooney dhe Gary Neville.

Në një deklaratë nga United thuhej: “Cristiano Ronaldo do të largohet nga Manchester United me marrëveshje të përbashkët, me efekt të menjëhershëm”.

“Klubi e falënderon atë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në dy periudha në ‘Old Trafford’, duke shënuar 145 gola në 346 paraqitje dhe i uron atij dhe familjes së tij mirë për të ardhmen”.

“Të gjithë në Manchester United mbeten të përqendruar në vazhdimin e përparimit të ekipit nën drejtimin e Erik ten Hag dhe të punojnë së bashku për të dhënë sukses në fushë”, thuhet mes tjerash ne deklaratën e klubit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore