Sport

EY: Premier League mbi 9 miliardë euro të ardhura për Britaninë e Madhe


Teksa përgatitet të festojë 30 vjetorin e krijimit, Premier League zbulon dhe efektet e mëdha në ekonominë e Britanisë së Madhe.

Liga e re (Premier League) u krijua më 20 shkurtin e 1992. Që nga ajo kohë të ardhurat e ligës janë rritur me + 6 800%.

Pas problematikave të shumta në fillimet e saj, me huliganët, apo dhe bllokimi pesë-vjeçar në Kupat e Evropës pas tragjedisë së Heysel-it, tashmë lulëzimi i Premier League-s është i dukshëm.

Mbase në Premier League nuk luajnë të gjithë lojtarët më të mirë në botë, përveç Cristiano Ronaldo-s, por normalisht një pjesë e atyre që luajnë aktualisht janë në nivel të klasit botëror.

Gjithashtu, dominimi i Premier League-s si liga më e fortë në Evropë tregohet edhe në Champions League sezonet e fundit.

Në sezonin 2020/ 21 në finale përballej Chelsea me Manchester City-n. Në finalen e 2018/19 u përballë Liverpool-i me Tottenham-in. Dhe në finalen e 2017/18 ishte Liverpool-i që përballej me Real Madrid-in.

Për t’u rikthyer te vlera ekonomike që Premier Legaue ka për Britaninë, më së miri e tregon një raport i fundit i kompanisë “EY”.

Raporti tregon se në sezonin 2019/20, pavarësisht se për shumë kohë Premier League u pezullua për shkak të pandemisë, të ardhurat në ekonominë e Britanisë ishin 9 miliardë euro ose 7.6 miliardë paund.

Aktiviteti ekonomik i klubeve është rritur me 840% që nga sezoni 1998/99. Liga dhe klubet e saj gjeneruan një kontribut total tatimor prej 3.6 miliardë paundësh në 2019/20, nga të cilat 1.4 miliardë paund u llogaritën nga lojtarët.

Kontributi total i taksave të paguara nga klubet është rritur me 3.1 miliardë paund që nga viti 1998/99.

Liga dhe klubet kanë arritur gjithashtu rritje të konsiderueshme të punësimit gjatë një periudhe të gjatë kohore, me 94 mijë vende pune që janë krijuar në të gjithë Britaninë.

Numri i vendeve të punës në lidhje me klubet u rrit nga 11 mijë në 1998/99 në mbi 87 mijë në 2019/2020, pra një rritje prej 650%.

Të nëntë rajonet kryesore të Anglisë u përfaqësuan nga të paktën një klub i Premier League në 2019/20 dhe 72% e aktivitetit ekonomik të Ligës u gjenerua jashtë Londrës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore