Lajme

“Exit-Strategjia” e Kurtit, a po i ik kryeministri marrëveshjes me Serbinë?


Foto nga Albanian Post

Ndonëse dialogu Kosovë-Serbi ka hyrë në një fazë shumë më dinamike pas propozimit franko-gjerman, situata në terren nuk është në favor të këtij procesi.

Mos-përfillja e kërkesës amerikane për shtyrjen e vendimit për targat për të paktën 10 muaj nga ana e Qeverisë së Kosovës, përveç se ka zhgënjyer komunitetin ndërkombëtar, ka qenë premisë e përkeqësimit të situatës në Veriun e vendit.

Por, pse Albin Kurti nuk po dëgjon këshillat amerikane e rrjedhimisht po kontribuon në tensionimin e situatës në Veri?

Për ish-bashkëpartiakun e Albin Kurtit, Visar Ymerin, me ndryshimin e masës për targat nga zbatimi i plotë drejtë zbatimit të shkallëzuar, Kurti ka bërë një taktizim të qëllimshëm.

Lëvizjet politik të Kurtit në aspektin e targave të cilat rrjedhimisht kanë indinjuar serbët e Kosovës, janë vështirë të lexueshme, të paktën nga deklaratat publike të shefit të ekzekutivit.

“Në publik krejt çka dëgjojmë janë frazat e thata legaliste ‘ne vetëm po zbatojmë ligjin’, e të cilat nuk janë krejtësisht të vërteta. Ligji është i zbatueshëm në çdo kohë. Nuk ka shkallëzim të zbatimit të ligjit. Nuk mund të thuhet që një ligj i cili është në fuqi tash e sa vjet, do të fillojmë ta zbatojmë gradualisht prej 21 nëntorit”, ka pohuar Ymeri për Albanian Post.

Një prej kërkesave bazë që kanë pasur partnerët perëndimorë, që nga invazioni rus në Ukrainë, për të gjithë shtetet e rajonit, e në veçanti për Kosovën e Serbinë, ka qenë mirëmbajtja e paqes dhe e sigurisë në rajon.

Megjithatë për Ymerin alternativa e Qeverisë së Kosovës për shkallëzim të vendimit për targat në tri javë qortim, dy muaj gjoba dhe më pas edhe dy muaj tabela provuese në shikim të parë nuk po i kontribuon kësaj, përkundrazi “po shihet sikur tensionim i mundshëm i pjesës Veriore”.

Me leximin e situatës aktuale politike në vend të analistit politik Ymeri, pajtohet edhe ligjëruesi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi.

Sipas Arifit, Qeveria e Kosovës duke mos e përfillur kërkesën amerikane për shtyrjen e vendimit për targat qëllimisht po mban lartë tensionet në Veri, për t’i ikur kështu një marrëveshjeje me Serbinë.

“Çdo tensionim i situatës do të jetë në dëm të Kosovës, çdo tensionim do ta shtyjë marrëveshjen Kosovë-Serbi dhe palët nuk do të jenë të afërta në dialog, pra i bije që në një formë apo tjetër Qeveria e Kosovës, me apo pa qëllim, me tensionimin e situatës në një farë mënyrë nuk dëshiron që dialogu të ketë shumë sukses, arsyet për këtë janë të panjohura”, ka thënë Arifi për Albanian Post.

Mos ndoshta Albin Kurti duke tensionuar paksa situatën në Veri po përgatit terrenin për arsyetimin e një marrëveshjeje me Serbinë, e cila po shihet se është afër?

Për Ymerin një përafrim i tillë për marrëveshjen Kosovë-Serbi, nuk është në interes të Kosovës.

“Pse na duhet të arrijmë marrëveshje përmes tensionimit? pyet Ymeri duke shtuar se “pra që kryeministri ta ketë të mundur të na thotë që ‘nuk pata qare sepse situata ishte shumë e rëndë?’ Kjo është nevojë elektorale personale e Kryeministrit”, argumenton ai.

Për Ymerin nëse institucionet e Kosovës sot shihen në perëndim sikur nuk çajnë kokën për pozitën dhe mirëqenien e qytetarëve të komunitetit serb, atëherë kjo ia shton peshën kompromisit që do të kërkohet nga Kosova.

“Sa më shumë që do e dëshmojmë që Kosova nuk garanton respektim të të drejtave të komunitetit serb aq më të mëdha do të jenë kërkesat për siguri shtesë institucionale që këto të drejta nuk do të shkelen në të ardhmen. Pra, aq më e rëndë do të jetë pesha e Asociacionit”, thotë Ymeri.

Në thelb për Ymerin gjithë këto manovra politike të Kurtit janë të gabuara.

“Sepse në njërën anë e reduktojnë përkrahjen e ShBA-së dhe BE-së për pozicionin tonë, përkrahje kjo e domosdoshme në procesin e dialogut, ndërsa në anën tjetër i legjitimojnë kërkesat e Serbisë për defunksionalizim të Kosovës me pretekstin e mbrojtjes së të drejtave të serbëve në Kosovë”, ka thënë Ymeri për Albanain Post.

Në anën tjetër me tezën se me tensionimin e situatës në Veri, Kurti po përgatit terrenin për ta arsyetuar marrëveshjen me Serbinë, nuk pajtohet profesori Arifi.

Sipas tij çdo tensionim i situatës i bënë favore vetëm Serbisë.

“Atje veç ekziston tensioni teknik, mirëpo rrethanat po krijohen tash që të kemi edhe tensionime politike, nëse Lista Serbe vendos t’i bojkotojë institcuionet kjo do të ketë efekt negativ vetëm në Veri dhe kjo do ta komplikonte situatën, por edhe dialogun, pasi në fund të ditës çdo tensionim i situatës me elemente të dhunës do t’i shkojë në favor vetëm Serbisë kuptimin e asaj që në dialog kërkohen edhe koncesione tjera”, ka thënë Arifi për AP.

Visar Ymeri dhe Dritëro Arifi

Por, si rrodhën gjërat?

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e fundit të Qeverisë së Kosovës, kishte pranuar që ta shkallëzojë vendimin për targat, duke mos i konfiskuar veturat me tabela ilegale, por fillimisht duke i qortuar, më pas në një afat tjetër gjobitur.

Shkallëzimi tjetër do të jetë vendosja për dy muaj e tabelave provuese dhe vetëm pas 21 prillit të vitit 2023, Kurti tha se do të konfiskohen targat ilegale KM.

“Për tri javë duke filluar nga 1 nëntor, masa do të jetë ajo e qortimit. Më pas, deri me 21 janar do të shpërndahen gjoba. Dhe pastaj, nga 21 janari, do të kemi targa provuese për dy muaj të tjerë, pas secilës datë me 21 prill nuk mund të ketë, sepse nuk mund të lejohen targa të tjera në Republikën e Kosovës”, shpjegoi Kurti në mbledhje të qeverisë.

Kryeministri kishte pranuar se ky ndryshim vendimi po vjen, si përgjigje e qeverisë “për ndjeshmërinë e shtuar edhe ndërkombëtare sa i përket paqes dhe sigurisë”.

Megjithatë për këtë vendim të Qeverisë së Kosovës, ShBA-të, prapë kishin shprehur pakënaqësi.

“SHBA-të janë të zhgënjyera dhe të shqetësuara që Qeveria e Kosovës ka refuzuar kërkesat për të bërë çfarë i kanë kërkuar partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në një komunikatë për media menjëherë pas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Çka ndodhi më pas?

Drejtori i Policisë së Kosovës në Mitrovicën e Veriut, Nenad Gjuriç, u suspendua nga kjo pozitë me vendim të Inspektoratit të Policisë së Kosovës me pretekstin se i njëjti kishte refuzuar ta zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për qortimin e shtetasve serb të cilët kanë refuzuar t’i konvertojnë targat e tyre ilegale në ato RKS.

Në një konferencë për media menjëherë pas këtij vendimi të Inspektoratit, kryetari i Listës Serbe dhe njëherit Ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Goran Rakiç, kishte caktuar për të shtunën një takim urgjent me të gjithë përfaqësuesit e Listës Serbe, për të diskutuar mundësinë që të gjithë serbët të largohen nga institucionet e Kosovës, duke filluar nga ai personalisht.

Përveç kësaj, Rakiç, kishte bërë të ditur se Lista Serbe të dielën do të protestojë në mënyrë paqësore në shenjë indinjate ndaj vendimeve të Qeverisë së Kosovë.

Ai nuk kishte garantuar që protesta demokratike mund të shndërrohet edhe në një revolt popullore.

Albanian Post të premten e 4 nëntorit kishte raportuar që rreth 400 policë serb të Kosovës në Veri, do të largohen nga detyra zyrtare pasi kështu u ka bërë thirrje lideri politik i serbëve të Kosovës, Goran Rakiç.

Nëse ky grup policësh serbe të Kosovës largohen, Albanian Post ka kuptuar brenda burimeve të policisë se ka shumë rrezik që ata nuk do të dorëzojnë armët zyrtare, meqë largimi nuk po ndodhë si bindje ndaj ligjit, por revoltim ndaj tij.

AP kishte mësuar gjithashtu se njësitet speciale të Policisë së Kosovës janë “në gjendje gatishmërie” në Veri.

Ekskluzive: 300 të armatosur në Veri, raportet e inteligjencës zbulojnë grupin paramilitar

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore