Teknologji

Evropës i duhen 300 miliardë euro për rrjetin 5G


Për të hapur rrjetin e shumëkërkuar, 5G, Evropës do i duhet të derdhë 300 miliardë euro në infrastrukturën e saj të telekomunikacionit deri në vitin 2025.

Agjencia e lajmeve, Reuters, tregon se prania e 5G në bllokun e 27 vendeve evropiane do të shërbejë për rritjen ekonomike të tyre dhe për shfrytëzimin e potencialit të teknologjisë.

Rezultatet janë pjesë e studimit të kryer nga firma këshilluese, BCG, me porosi të grupit të lobimit të telekomunikacionit, ETNO.

Kjo vjen teksa Bashkimi Evropian mban shpresat te hapja e rrjetit 5G për ta zhvendosur atë nga recesioni i shkaktuar prej pandemisë dhe për të marrë drejtimin në pajisjet e lidhura me internet.

Mirëpo, operatorët e telekomunikacionit në BE, kanë nguruar të investojnë në rrjetin 5G për shkak të shpenzimeve masive në mbështetje të fabrikave dhe veturave që drejtojnë vetveten.

Madje, planet për t’u rritur përmes bashkimeve për të marrë përsipër këto projekte të kushtueshme janë penguar nga rregullat e antitrustit në BE.

“150 miliardë euro janë ende të nevojshme për të arritur një skenar të plotë 5G në Evropë, ndërsa një shtesë prej 150 miliardë eurosh kërkohet për të përfunduar azhurnimin e infrastrukturës fikse drejt shpejtësisë gigabit”, thuhet në raport.

Një tjetër zhgënjim për industrinë ka ardhur edhe nga vonesat në ankandin e rrjetit 5G si pasojë e zhvendosjes së përqendrimit të qeverive për t’ju kundërvënë pandemisë. Spektri 5G është i nevojshëm për operatorët që të fillojnë të ofrojnë rrjetin në treg.

Sipas Reuters, studimi i kryer supozoi disa masa që qeveritë dhe rregullatorët mund të zbatojnë për të rritur industrinë e telekomunikacionit.

“Një hap i tillë është ndjekja e modeleve të reja të pronësisë që përfshijnë ndarjen vullnetare të infrastrukturës, e cila mund të lejojë shpërndarjen më të shpejtë, ndikimin e përgjithshëm të zvogëluar të mjedisit dhe rritjen e transferimit të njohurive midis partnerëve”, shtohet në raport.

Pjesë e sugjerimeve të bëra është edhe lehtësimi i rregullave për të lejuar ofruesit e telekomunikacionit të bashkëpunojnë dhe të ndajnë së bashku ndërtimin e infrastrukturës.

Ai drejton thirrje për operatorët që të lejohen të fitojnë të ardhura nga trafiku i të dhënave në rrjetet e tyre për të arritur në nivelet e kompanive të mëdha teknologjike si Google-i, Facebook-u apo Microsoft-i.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore