Zgjedhjet në Shqipëri

Liderët evropianë urojnë fitoren e Edi Ramës


Presidenti francez Emmanuel Macron dhe kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, i kanë dërguar mesazh urimi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama.

Mesazhi i tyre ka ardhur në kuadër të fitores së zgjedhjeve të 25 prillit nga ana e Partisë Socialiste (PS), me kryetar Edi Ramën.

Gjatë kësaj dite Ramën e ka uruar dhe zëdhënësi i Departamentit Amerikan të shtetit, Ned Price.

Ai përgozi popullin dhe u shpreh për vijimin e bashkëpunimit dhe partneritetit të ngushtë midis të dy vendeve.

Urimet nga vendet fqinje

Po ashtu të martën e 27 prillit, urim ka marrë dhe nga kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

Homologu maqedonas ka bërë urimin në gjuhën shqipe përmes një telefonate.

Edhe ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka shkruar letër nga burgu duke i uruar fitoren.

“Dhomat e ngushta e muret e qelisë së Hagës nuk e përmbajnë dot shpërthimin e entuziazmit tim për fitoren tënde”.

Ndërsa të parët që uruan Ramën ishin presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis.

Fitoren e Edi Ramës e kanë uruar edhe shumë liderë të tjerë botëror.

Kujtojmë se PS-ja ka marrë mandatin e tretë më 25 prill. Përkatësisht ka fituar 74 mandate, Partia Demokratike 59 mandate, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim katër mandate.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore