Lajme

“Evropa nuk arrin të na kuptojë”


Përse Bullgaria po përpiqet t`i vendosë veto anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në BE?

Përse Bullgaria po përpiqet t`i vendosë veto anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut  në BE?

Për të kuptuar situatën e ndërlikuar politike në gadishullin e Ballkanit, ndonjëherë mund të vijnë në ndihmë shembuj në formën e pyetjeve kundër-faktuale. Për shembull, a mund të imagjinojmë Gjermaninë t’i kërkojë Vienës të njohë zyrtarisht se Mozart-i ka qenë gjerman në mënyrë që ata të bashkohen në Bashkimin Evropian? Ose Franca të prodhojë tonelata literaturë polemike për të faktuar se identitetet belge dhe zvicerane janë “artificiale”? Ose akademikët gjermanë të këmbëngulin se krahina të Holandës dhe Belgjikës duhet të pranojnë se ato flasin një dialekt të Plattdeutsch (dialekt i gjermanishtes në vendet e ulëta), dhe të adoptojnë sërish termin (Neder)Duits (versionin e gjuhës gjermane), si një term më tradicional për gjuhën e tyre të folur në krahasim me termin Dutch, të cilin e përdorin sot. Apo Austria të bllokojë anëtarësimin e Sllovenisë në BE duke e bazuar në faktin se këta të fundit janë “produkt i totalitarianizmit”, i vendosur fillimisht nga ish – diktatori gjysmë slloven, Tito, si bazë e ngritjes së Jugosllavisë së tij komuniste?

Sado absurde të tingëllojë, akademikët belgë dhe politikanët, kanë pasur pretendime të ngjashme përsa i përket historisë, gjuhës dhe identitetit kombëtar të Maqedonisë së Veriut për mbi 50 vite. Në dy vitet e fundit, pretendime të ngjashme kanë ardhur nga Republika e Bullgarisë (anëtare e BE prej 2007-ës), si mjet për të ushtruar presion ndaj qeverisë maqedonase ndërkohë që ajo kërkon të anëtarësohet në BE. Kërcënimet për veto nga Bullgaria u materializuan më në fund në 17 nëntor në takimin e Këshillit të Punëve të Përgjithshme, gjatë të cilit ministrat evropianë diskutuan zgjerimin e BE-së. Ndërkohë që duket se ka një konsensus brenda BE-së për faktin se Maqedonia e Veriut i ka përmbushur kushtet për çeljen e negociatave, ministrja e Jashtme e Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, deklaroi mosmiratimin e Sofies zyrtare për hapjen e negociatave dhe praktikisht vuri veton mbi negociatat që pritej të hapeshin në dhjetor.

Trashëgimi të diskutueshme

E vendosur në pjesën qendrore të zonës multi-etnike të Ballkanit, Maqedonia ka qenë pjesë e Perandorisë Otomane deri në 1913, kur u nda midis Greqisë, Serbisë (më vonë Jugosllavi) dhe Bullgarisë. Pavarësisht pushtimeve të vogla në shumicën e rajonit gjatë dy Luftërave Botërore, Bullgaria dështoi të përfshinte Maqedoninë brenda kufijve të saj, dhe në fund të vitit 1944 u vendos një Republike Maqedonase me një kryeqytet të saj (Shkupin) dhe me një gjuhë brenda kornizave të federatës socialiste Jugosllave. Që nga vitet 1960, politikanë bullgarë (fillimisht komunistë dhe pas 1989 pasardhësit e tyre post dhe anti-komunistë), e refuzuan karakterizimin e atij kombi dhe gjuhe si “Maqedonas”, duke pretenduar se popullsia sllave e Maqedonisë përbëhet nga bullgarë që flasin dialektin e Bullgarisë perëndimore. Një armiqësi historiografike shumëvjeçare filloi ndërmjet akademikëve dhe figurave publike nga Sofia dhe Shkupi, të përqendruar në interpretimin e një serie të gjatë të historikut të personaliteteve dhe ngjarjeve të shtrira që nga mesjeta deri në mesin e shekullit të XX-ë.

Në 2019, ish – republika Jugosllave (e pavarur që prej vitit 1991) u riemërua Maqedoni e Veriut si rezultat i marrëveshjes së Prespës. Kjo i vuri fundin një mosmarrëveshjeje 27-vjeçare me Greqinë mbi emrin “Maqedoni”, e përkeqësuar nga shfrytëzimi që i bëri ish-kryeministri maqedonas, Nikola Gruevski, nacionalizmit mbi trashëgiminë e Maqedonisë antike. Mosmarrëveshja bullgaro-maqedonase mbi trashëgiminë kulturore të pretenduar nga të dy shtetet shpërtheu po atë vit, pavarësisht se nuk mori shumë mbulim nga media ndërkombëtare. Çuditërisht, kjo erdhi pasi kryeministri bullgar Boyko Borisov dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev, firmosën një “Traktat miqësie, fqinjësie të mirë dhe bashkëpunimi” në gusht 2017. Për shkak të traktatit, Sofia dhe Shkupi zyrtar vendosën ngritjen e një komisioni të përbashkët për të propozuar formulat në lidhje me “të shkuarën e përbashkët” që mund të ishte e pranueshme nga të dy palët.

Gjithsesi, bisedimet konkrete të komisionit mbetën të paqarta për shkak të pritjeve të ndryshme që kishin dy shtetet. Duke qenë në një pozicion më të dobët karshi anëtares së BE-së, Bullgarisë, qeveria maqedonase përfshiu në komision studiues të rinj me një sfond akademik ndërkombëtar dhe një mënyrë të menduari më liberale. U evitua në këtë mënyrë përfshirja e historianëve më me zë në Maqedoni, të cilët kultivojnë një këndvështrim më nacionalist. Shkupi i dha ekipit edhe një mision minimal, siç ishte të rekomandonte rishikimin e teksteve shkollore në frymën e fqinjësisë së mirë. Për Sofien, nga ana tjetër, kjo nuk ishte e mjaftueshme. Autoritetet bullgare formuan një ekip me historianë dhe diplomatë të njohur, shpesh persona me pozita të rëndësishme administrative në institucione kombëtare, deklaratat e të cilëve e bënë rolin e tyre shumë të qartë. Ata dukej se e imagjinonin veten më shumë si gjeneralë ushtrie që do të përcaktonin një kauzë kombëtare ose si inspektorë policie, të cilët duhet t’i bënin keqbërësit të pranoni gabimet e tyre. Sjellja e ekspertëve bullgarë devijoi shumë nga neutraliteti politik që pritej në këtë debat akademik dhe shfaqi një mungesë tërësore të temave akademike që i përkasin ndërtimit të identitetit kombëtar dhe gjuhës.

Avantazhi Evropian

Në mënyrë jo surprizuese, dialogu midis palëve në komisionin e përbashkët rezultoi i vështirë dhe u kthye në skandale mediatike rreth pyetjeve që u ngritën mbi personalitetet historike. Qeveria bullgare përdori komisionin për të imponuar interpretimet tradicionale Bullgare të historisë, gjuhës dhe identitetit Maqedonas. Në fund të ditës, Sofia i ofroi një zgjedhje të rreme ekspertëve maqedonas në komisionin e përbashkët dhe më pas qeverisë në Shkup: pranoni “të vërtetat historik” bullgare ose përballuni me veton e Bullgarisë për bllokimin e negociatave me BE-në. Të acaruar nga refuzimi maqedonas, qeveria bullgare e intensifikoi bullizmin e saj. Në tetor 2019 Parlamenti bullgar kaloi një “pozicion kornizë” dhe lëshoi një deklaratë që mohonte ekzistencën e gjuhës maqedonase. Dokumenti përfshiu një numër kërkesash problematike të adresuara ndaj Maqedonisë së Veriut si parakusht për fillimin e bisedimeve me BE-në.

Së fundmi, Sofia shkoi aq larg sa t’i dërgonte diplomatëve të vendeve të tjera të BE-së një “memorandum shpjegues” nacionalist, duke prezantuar teza tradicionale bullgare: deri në fund të Luftës së Dytë Botërore, popullsia sllave në Maqedoni ishte bullgare. Kombi maqedonas u krijuar nga komunistët Jugosllavë me koston e terrorit të pamëshirshëm (memorandumi i referohet 100.000 viktimave të pretenduara nën regjimin e Titos, të vrarë apo shtypur për shkak se ishin maqedonas bullgarë). Përsa i përket gjuhës maqedonase, u cilësua sërish si një konstrukt i bazuar në dialekt bullgar. Në të njëjtën kohë, ministri i jashtëm bullgar dhe zyrtarë të tjerë në Sofie filluan të këmbëngulnin hapur se elita politike maqedonase duhet të njohë “rrënjët bullgare” maqedonase. Ndërsa kjo këmbëngulje absurde nuk i solli rezultatet e pritura, për momentin, qeveria bullgare duket shumë e përkushtuar për të vazhduar bllokimin e bisedimeve mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së. Zyrtarisht, Sofia këmbëngul se Shkupi dështon në respektimin e “Traktatit të miqësisë” të 2017-ës. Në veçanti, zyrtarët bullgarë pretendojnë se komisioni i përbashkët i ekspertëve nuk ka bërë përparim në punën e tyre për shkak të armiqësisë nga pala maqedonase.

Vetoja e Bullgarisë nuk ka shumë pëlqim nga institucionet evropiane dhe drejtuesit e tyre, të cilët nuk janë aspak entuziastë për mosmarrëveshjen e re nacionaliste rreth Maqedonisë. Zyrtarët bullgarë ankohen gjithashtu për presion evropian (kryesisht gjerman) në favor të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Ivan Ilchev, një historian i shquar bullgar dhe anëtar i komisionit të përbashkët, deklaroi se Evropa dështoi të kuptojë arsyet e Bullgarisë për veton. Duke kuptuar se retorika e tyre nacionaliste bie në veshët e shurdhër të institucioneve të BE-së, përfaqësuesit bullgarë, sollën në dijeni politikat evropiane të përkujtimit në lidhje me “regjimet totalitare” të shekullit të XX-ë dhe nëpërmjet tyre kërkon të hedhë baltë mbi identitetin kombëtar maqedonas si produkt i Jugosllavisë “totalitare” të Titos.

Ironikisht, argumentet e palës bullgare në lidhje me gjuhën Sllave dhe historisë së Maqedonisë, ishin vetë të kodifikuara gjatë regjimit “totalitar” të sunduesit komunist bullgar Todor Zhivkov. Në përpjekje për të rafinuar këtë retorikë të trashëguar, zyrtarët bullgarë sjellin klishe liberale dhe teknokratike: për shembull, ata rregullisht ankohen për “gjuhë urrejtjeje” anti-bullgare nga Maqedonia e Veriut. Për të qenë të sigurt, ka ambientet politike, komentuesit politikë dhe media në Shkup, të famshme për ndjenjat e tyre anti-bullgare, por këto nuk përfaqësojnë linjat politike të qeverisë aktuale maqedonase. Koncepti i “gjuhës së urrejtjes” është kështu i përdorur nga Bullgaria në një mënyrë shumë arbitrare: shpesh, vetë ekzistenca e kombit maqedonas merret nga Sofia zyrtare si një akt “anti-bullgar”. Ndërkohë, ndryshe nga sjellja diplomatike e qeverisë Zaev, zyrtarë bullgarë si ministri i Mbrojtjes, Krasimir Karakachanov, udhëheqësi i një aleati “të vogël” nga ekstremi i djathtë në koalicionin qeverisës, ndërmerr një retorikë brutale dhe pa takt duke ofenduar jo vetëm Maqedoninë e Veriut por edhe Serbinë, shtetin të cilin polemistët bullgarë kanë fajësuar tradicionalisht për “inxhinierimin” e kombit maqedonas. Në fakt, këto ditë është Bullgaria, jo Serbia, ajo e cila ndez reagimet publike anti-bullgare në Maqedoninë e Veriut. Për më tepër, institucionet bullgare nuk i shfaqin vlerat evropiane demokratike me refuzimin e tyre për regjistrimin e organizatave politike për përfaqësimin e minoritetit maqedonas në Bullgari (një grup i vogël njerëzish sipas të dhënave). Për shkak të kësaj, Sofia është dënuar shumë herë nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut dhe është kritikuar nga Këshilli i Evropës, përfshirë në tetor të këtij viti. Për ta vënë në shina debatin, autoritetet bullgare filluan të dënonin Shkupin për thirrjet “anti-bullgare” se ekziston një minoritet maqedonas në Bullgari, thirrje të cilat politika zyrtare maqedonase i ka braktisur prej dekadash.

Pretendime dhe Kundër – Pretendime

Sidoqoftë, a ka diçka që Evropa duhet empatikisht “të kuptojë” për pozicionimin e Bullgarisë? A po tregohet BE-ja e padrejtë ndaj Bullgarisë dhe a nuk është shumë mikpritëse ndaj ish – republikës Jugosllave? Në fund të fundit, gjuha maqedonase u kodifikua vetëm pas 1944ës brenda kornizës së socializmit jugosllav. Prapë, kjo nuk e bën më pak legjitime ose më shumë “artificiale” se çdo gjuhë tjetër e standardizuar, përfshi atë bullgare. Gjuhë si turqishtja moderne apo hebraishtja bashkëkohore janë gjithashtu fenomene linguistike të fundit, kodifikuesit e të cilave janë të mirënjohur. Bullgarishtja dhe maqedonishtja janë sigurisht gjuhë të lidhura ngushtë dhe nuk ka kufij linguistikë midis dialekteve të tyre. Ato formojnë një vazhdimësi dialektore jo vetëm me njëra – tjetrën por edhe me gjuhën serbe, një marrëdhënie shumë e ngjashme mes dialekteve romakë, gjermanike dhe atyre të Evropës perëndimore.

Në 1959, linguisti amerikan Horace Lunt, autor i gramatikës së parë shkencore maqedonase, ende besonte se që maqedonasit të adoptonin bullgarishten si gjuhë standarde “do të kërkonte shumë më pash lëshime nga ana e tyre se sa ato që u bënë nga bavarezët dhe hamburgezët, nga napoletanët dhe piemontezët”. Gjithsesi, siç diskutojnë dhe sociolinguistët bashkëkohorë, një gjuhë është një “dialekt me një ushtri”. Në rastin maqedonas, pati një proces kodifikimi të gjuhës dhe institucionalizimi politik të rregullave të kodifikimit (si gjuhë zyrtare), së bashku me një pretendim të fortë kolektiv se maqedonishtja konstituon një gjuhë tjetër. Përtej kësaj, hapësira midis bullgarishtes bashkëkohore dhe rregullave standarde të maqedonishtes nuk janë të neglizhueshme: është shumë më e konsiderueshme se ajo midis serbishtes dhe kroatishtes për shembull, ose midis danishtes dhe norvegjishtes “Bokmål”, dhe specialistët e shohin më shumë si ndryshimet që ka gjuha daneze nga ajo suedeze. Kjo e bën karakterizimin e maqedonishtes si një dialekt bullgar i “abuzuar” shumë qesharak. Një normë kombëtare standarde nuk mund të reduktohet në dialekt, dhe dialektet nuk kanë “identitet kombëtar” të koduar në to, ndryshe nga normat standarde, të cilat janë fenomene të jashtëzakonshme politike.

Këmbëngulja bullgare mbi “të shkuarën e përbashkët” të Bullgarisë dhe Maqedonisë, qartësisht e nënkuptuar si “e shkuara bullgare”, është njësoj e dyshimtë. Thënë kjo, narrativa historike maqedonase e kodifikuar gjatë socializmit është gjithashtu problematike. Pretendimet mbi një vazhdimësi historike të identitetit etnik maqedonas prej së paku epokës së mesjetës nuk janë të besueshme: pas Maqedonisë së lashtë, asnjë qeveri pre-moderne nuk e ka pretenduar këtë. Një seri pyetjesh sfiduese janë ngritur nga polemistët bullgarë jo vetëm mbi këtë epokë por dhe lidhur me periudhat moderne dhe bashkëkohore historisë së Maqedonisë nga shekulli i XIX-ë deri në mesin e shekullit të XX-ë, ndërsa historiografia maqedonase ofron përgjigje më të thjeshta. Gjatë dekadës së fundit të sundimit Otoman në Maqedoni, një proces i avancuar shtet – formimi bullgar zuri vend në popullatën sllave të asaj kohe. Ky fakt nuk mund të mënjanohet si rezultat i një “propagande” të jashtme armiqësore, siç kërkojnë të bëjnë historianët maqedonas. Ironikisht, kanuni historik bashkëkohor maqedonas, ka përfshirë në listën e figurave “të mëdha” historike maqedonase, një numër të madh intelektualësh dhe aktivistësh politikë, të cilët pavarësisht patriotizmit lokal maqedonas, u vetë-njohën si me kombësi bullgare. Kjo ishte e vërtetë për revolucionarin e famshëm Gorse Delchev (1872-1903), trashëgimia e të cilit provokoi një seri polemikash që vulosën fatin e komisionit të përbashkët të ekspertëve.

Historiografia bullgarë është po aq e paaftë të kuptojë trajektoren historike të identitetit kombëtar maqedonas, i cili filloi drejt fundit të periudhës Otomane. Pavarësisht memorandumin shpjegues të qeverisë bullgare ku pretendohet se “të gjitha vlerësimet diplomatike dhe historike” vërtetojnë identitetin bullgar të popullsisë sllavo-maqedonase përpara sundimit jugosllav, kjo nuk është e vërtetë. Segmente të konsiderueshme të popullsisë lokale sllave nuk e pranuan kurrë identitetin bullgar, madje, zhvilluan një identik grek dhe në disa raste edhe serb. Për më tepër, disa komentues të pyetjeve maqedonase pretenduan se shumica e sllavo-maqedonasve kishin mungesë të qartë të identitetit kombëtar, gjë kjo tipike e popullsive të pa arsimuara evropiane në atë kohë. Edhe patriotë bullgarë nga Maqedonia e pranuan që, në shumë pjesë të vendlindjes së tyre, “njerëzit ende nuk e dinë ternim ‘bullgarë’”. Disa autorë ballkanas dhe jo ballkanas gjithashtu besojnë se maqedonasit nuk ishin as serbë e as bullgarë, por një grup etnik sllav i shkëputur: një këndvështrim që u bë i njohur midis maqedonasve pas Luftës së Parë Botërore.

Të përballur me këtë kundër-evidencë, historianët bullgarë dhanë përgjigje lehtësuese duke reduktuar identitetin kombëtar maqedonas në një rezultat të “propagandës” armiqësore (serbe, jugosllave, komuniste), të lëshuara hamendësisht nga figura famëkeqe të historisë (Stalini, Tito, etj.). Ngjashëm me rrëfimin historik maqedonas, historiografia e njohur bullgare është e dominuar nga ideja e vazhdimësie etno-kombëtare të patundshme që daton që në mesjetë dhe një pamundësie për të rrokur identitetin kombëtar si një fenomen të jashtëzakonshëm modern, i cili, si çdo identitet, është kontekstual dhe i lakueshëm. Më tej, pavarësisht se Bullgaria këmbëngul me gjakftohtësi se Maqedonia e Veriut “duhet të njohë të vërtetën historike”, ajo shfaq një paaftësi goditëse për ta bërë këtë gjë në lidhje me disa tema “të sikletshme” të të shkuarës. Për shembull, Sofia e përshkruan pushtimin e territorit të Ballkanit gjatë Luftës së Dytë Botërore nga regjimi i tyre pro gjerman, përfshi Maqedoninë e Veriut, si “çlirim”, dhe mohon një sërë krimesh ndaj popullatës, veçanërisht rolin e saj në shfarosjen e mbi 11.000 çifutëve. Përveç kësaj, edhe nëse rregullisht e akuzon Shkupin për përdorimin e falsifikimeve historike, Sofia nuk heziton të prodhojë “fakte” siç është figura absurde e 100 mijë bullgarëve, viktima të regjimit të Titos në Maqedoni.

Historia nuk është thuajse kurrë bardhë e zi. Nëse rrëfimi zyrtar bullgar është i cekët dhe nacionalist, kjo nuk do të thotë se interpretimi i gjerë maqedonas i historisë është korrekt. Gjithsesi, është e dukshme që sjellja e politikanëve, diplomatëve dhe akademikëve të njohur bullgarë është skandaloze. Të gjitha pyetjet e të shkuarës duhet të jenë çështje të një debati akademik me qëllime të mira, pa mundje dore dhe të përkushtuar ndaj imperativit politik për të promovuar ideologji kombëtare dhe servirjen e interesave të qeverive. Është zhgënjyese kur qeveritë pretendojnë se dinë rezultatin e çdo debati që përpara dhe shfrytëzojnë avantazhet dhe privilegjet e pozicionit të tyre të politika ndërkombëtare për t’iu imponuar shteteve të tjera. As “të vërtetat” historike nuk i duhen lënë tekave të zyrtarëve shtetërorë, agjendat e të cilëve kanë pak të bëjnë me qëllime historike akademike.

Bullgaria nuk fiton shumë nga mbajtja pezull e procesit të zgjerimit të BE-së për hir të obsesioneve të veta nacionaliste. Pavarësisht se segmente të klasës politike bullgare, diplomatëve dhe ekspertëve kanë promovuar “ri-bullgarizimin” e Maqedonisë që prej 1990ës, identiteti kombëtar maqedonas provoi të ishte shumë më i fortë se sa e priste Sofia. Së fundmi, shteti bullgar ka shfaqur një qasje fanatike që vetëm i bën antagonizëm maqedonasve: nëse qëllimi i Bullgarisë është që maqedonasit “të kuptojnë rrënjët e tyre bullgare”, strategjia e zgjedhur është qartësisht kundër produktive. Ajo as nuk kontribuon në reputacionin e mirë të qeverisë bullgare brenda institucioneve të BE-së. Në të kundërt, armiqësia e sotshme Bullgaro-Maqedonase, vetëm shton ndjeshmërinë e medias ndërkombëtare mbi problemet endemike të Bullgarisë, si korrupsioni dhe përvetësimi i fondeve të BE-së. Ndërkohë që Bullgaria kërkon të promovojë interesat e saj të sëmura kombëtare duke kërcënuar me veto anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, ajo në fakt tregon nivelin e mjerueshëm politik, diplomatik, dhe, i fundit por jo më pak i rëndësishmi, ai akademik në atë shtet.

Ky artikull është publikuar në Rosa-Luxemburg-Stiftung (rosalux.de), me autor Tchavdar Marinov.

Tchavdar Marinov është asistent i kërkimit shkencor në Institutin e Filozofisë dhe Sociologjisë pranë Akademisë Bullgare të Shkencave, me fokus historinë dhe historiografinë e pyetjeve mbi Maqedoninë, përdorimin ideologjik të antikitetit dhe politikat e trashëgimisë kulturore në Ballkan.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore