Lajme

Evropa ndihet e shqetësuar pas tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden dhe Kancelarja Gjermane, Angela Merkel

Vendimi i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, për të tërhequr ushtarët amerikanë nga Afganistani, i cili bëri që talebanët të marrin pushtetin në këtë vend i ka shqetësuar zyrtarët Evropianë.

Politikbërësit evropian e kanë konsideruar tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani si një gabim të përmasave historike.

Tërheqjen e hershme të trupave amerikane e ka konsideruar si një “gabim serioz”, kryetari i komitetit për marrëdhënieve me jashtë në kuadër të parlamentit gjerman, Norbert Rottgen duke shtuar se ky vendim e “dëmton rrënjësisht besueshmërinë politike dhe morale të Perëndimit”.

Ndërsa, Kancelarja Gjermane Angela Merkel ka shmangur kritikat e drejtpërdrejta ndaj presidentit Biden, por edhe ajo ka bërë të qartë se e konsideron tërheqjen e nxituar trupave amerikane si një “gabim”.

“Për ata që besuan në demokraci dhe liri, veçanërisht për gratë, këto janë ngjarje të hidhura,” tha Merkel në një takim me zyrtarët e partisë së saj të hënën raportojnë mediat gjermane.

Edhe në Mbretërinë e Bashkuar, e cila ashtu si Gjermania e kishte mbështetur angazhimin e SHBA-së në Afganistan që nga fillimi, ndjenja ishte e ngjashme.

Sipas kryetarit të komitetit për punë të jashtme në parlamentin Britanik, Tom Tugendhat, “Afganistani është fatkeqësia më e madhe e politikës së jashtme amerikane”.

Forcat amerikane ishin larguar nga bazat e tyre kryesore ushtarake në Afganistan, një muaj më parë pas qëndrimit për dy dekada në këtë vend.

Pas largimit të forcave amerikane nga ky vend, Talebanët kanë marrë nën kontroll gati tërë territorin e Afganistanit.

Ndërsa Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani u largua më 15 gusht nga vendi për në Taxhikistan dhe qeveria e tij u rrëzua teksa militantët talebanë hynë në kryeqytetin afgan, Kabul.

Pas marrjes së pushtetit nga Talebanët, shtetet perëndimor përfshirë edhe SHBA-të, kanë evakuuar personelin diplomatik nga ambasadat e tyre përkatëse.

Në anën tjetër në kryeqytetin Kabul të Afganistanit momentalisht janë duke vepruar vetëm tri ambasada të huaja, ajo e Rusisë, Kinës dhe Pakistanit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore