Lajme

Evropa do t’i hapë kufijtë edhe për udhëtarët nga Kosova


Këshilli i Evropës ka dhënë dritën jeshile për hapjen e kufijve me Kosovën, duke e përfshirë kështu në listën e vendeve me rrezikshmëri të ulët nga COVID-19.

Kësaj liste, i është shtuar edhe Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Republika e Moldavisë, ndër vendet e rajonit. Ky vendim u bë publik nga faqja zyrtare e Këshillit të Evropës.

Ndërsa më gjerë, është shtuar lista me përfshirjen e Armenisë, Azerbaijanit, Bruneit, Kanadasë, Jordanisë, Katarit dhe Arabisë Saudite.

Rekomandimi i 1 korrikut i kalon tashmë për aprovim Parlamentit Evropian, ku vendet anëtare e miratojnë atë. Më pas, është në dorë të të gjitha vendeve në mënyrë individuale, të vendosin se çfarë masash do të ndërmarrin ndaj shteteve.

Në listën fillestare, nga rajoni, kanë qenë të përfshira tre shtete ballkanike: Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.

Për të tre këto vende, lëvizja e lirë turistike është mundësuar nga pjesa më e madhe e vendeve të Bashkimit Evropian.

Vaksinat e njohura deri më tani nga Agjencia Evropiane e Barnave janë ato nga Pfizer, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson & Johnson. Pavarësisht kësaj, jo të gjitha vendet kërkojnë certifikatë vaksinimi për lëvizjen e lirë.

Në rastin e Shqipërisë, disa vende nga BE-ja, kanë pranuar edhe Sinovac apo Sputnik V si vaksina të vlefshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore