Sport

Evis Kushi për peshëngritësit kuqezi: Ambasadorët tanë në botë


Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi, ka mikpritur ditën e hënë (19 prill) dy nga kampionët peshëngritës shqiptarë, Evangjeli Veli dhe Briken Calja, së bashku me ekipin e plotë të peshëngritjes, i cili përfaqësoi flamurin kuqezi të shqiponjës me dy krena.

Kampionati Evropian i Peshëngritjes 2021 u zhvillua në Moskë të Rusisë nga data 3 deri më 11 prill.

Veli arriti të siguronte një medalje bronzi në stilin e shkëputjes, duke e shoqëruar suksesin dhe me vendin e tretë në renditje.

Sa i takon Caljës, ai mori edhe një të argjendtë, duke kurorëzuar një sukses të dyanshëm, me disa vlera për Shqipërinë.

Kushi i quajti “ambasadorët tanë nëpër botë” peshëngritësit shqiptarë:

“I mikprita me shumë kënaqësi në ambientet e MASR ekipin përfaqësues që mori pjesë para pak kohësh në Kampionatin Europian të Peshëngritjes në Moskë. Ndër ta edhe Evangjeli Veli dhe Briken Calja, të cilët vazhduan traditën shqiptare duke fituar medalje dhe duke nderuar flamurin tonë kuqezi”, shprehet ajo në një publikim në rrjete sociale.

“Njëri më kampion se tjetri, të përkushtuar për të rritur performancën edhe në garat e ardhshme ndërkombëtare, këta sportistë janë ambasadorët tanë më të mirë nëpër botë që na bëjnë të ndihemi gjithmonë krenarë! Faleminderit të gjithëve dhe shumë suksese në vijim!”

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore