Biznes

Evergrande mbledh 145 milionë dollarë para afatit të ri


Evergrande, gjigandi kinez i pasurive të paluajtshme, ka mbledhur afro 145 milionë dollarë pak para afatit përfundimtar për një pagesë të re të interesit të borxhit.

E përditshmja “BBC” tregon se kompania ka shitur 5.7 për qind të aksioneve në firmën mediatike, HengTen Networks Group, e cila prodhon filma dhe shfaqje televizive dhe gjithashtu operon një platformë transmetimi.

Kjo pasi këtë javë, Evergrande duhet të bëjë pagesat e interesit të vonuar prej 148 milionë dollarësh.

Deri më tani, kompania kineze e ka shmangur mospagimin e borxheve duke bërë pagesa të vonuara pak para skadimit të afateve 30-ditore.

Në fillim të këtij viti, ajo zotëronte shumicën e aksioneve në HengTen, por që atëherë ka bërë një numër shitjesh aksionesh teksa përpiqej të grumbullonte para për të përmbushur angazhimet financiare.

Ndërkaq, “BBC” tregon se aksioneri tjetër i madh i korporatës HengTen është gjigandi kinez i teknologjisë, Tencent. Ky i fundit bleu shtatë për qind të aksioneve nga Evergrande për rreth 266 milionë dollarë në muajin korrik.

Kjo shitje e aksioneve e bën Tencent-in aksionerin më të madh të kompanisë mediatike, me një aksion prej gati 24 për qind.

Përveç HengTen, Evergrande shiti javën e fundit edhe biznesin e vet të prodhimit të motorëve elektrikë të quajtur Protean me bazë në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga ana tjetër, kompania nuk zbuloi se sa fitoi nga shitja e kompanisë, të cilën njësia e saj e prodhimit të automjeteve e bleu për 58 milionë dollarë në vitin 2019.

Në muajt e fundit, Evergrande ka luftuar për të shitur disa nga asetet e tjera teksa përpiqej të grumbullonte paratë e nevojshme për të bërë pagesat e interesit të borxhit.

Muajin e kaluar, ajo ndaloi tregtimin e aksioneve në bursën e Hong Kong-ut përpara një njoftimi për një “transaksion të madh”.

Më pas, shkruan “BBC”, pas një pezullimi 17-ditor, Evergrande njoftoi se një marrëveshje prej 2.6 miliardë dollarësh për të shitur një aksion në njësinë e saj të shërbimeve të pronës kishte dështuar.

Kjo pasi nuk ishte në gjendje të pajtohej me kushtet e marrëveshjes.

Borxhi i madh prej 300 miliardë dollarësh i Evergrande dhe problemet e kompanisë me shlyerjen e borxhit kanë shkaktuar frikën se kolapsi i saj i mundshëm mund të shkaktojë tronditje në tregjet globale.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore