Evazion fiskal me inceneratorët, SPAK nis verifikimet

Brixhilda Xhuraj
05.07.2022 11:42
Loading Icons...

Prokuroria e Posaçme (SPAK) në Shqipëri ka nisur verifikimet pas denoncimit të kryetares së Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, e cila tha se 24 kompani kanë kryer 189 milionë dollarë evazion fiskal të lidhura me inceneratorët.

Një ditë më parë, Kryemadhi paralajmëroi se do t’i paraqesë të tjera prova SPAK-ut, sa i përket çështjes së inceneratorëve.

Sipas saj, janë 24 kompani, të cilat janë të lidhura me njëra–tjetrën dhe dyshohet se kanë kryer evazion fiskal me shtetasin Klodian Zoto, emri i të cilit lakohet me çështjen e inceneratorëve.

“Ka blerje korruptive, të ndara në fatura të vogla, nuk blihet në llogari bankare që lëvizja financiare mos bëhet me llogari bankare, por kesh, e shitja nga fruta ekzotike në beton është bërë me pagesë bankare, por pagesat bankare nuk janë kryer. Përveçse pagesat nuk kryhen, kompanitë që kanë bërë blerje marrin dhe rimbursimin e TVSH-së”.

Kjo gjë është hedhur poshtë kompania e inceneratorëve “Integrated Energy”, nëpërmjet një postimi në median sociale Facebook.

Nga kompania kanë theksuar se nuk ka furnitorë asnjë nga subjektet e përmendura nga Kryemadhi.

“Për rrjedhojë nuk ka asnjë shkëmbim tregtar me asnjë prej tyre. Kompanitë që përmend Kryemadhi nuk janë bashkëpunëtore në veprimtaritë tona”.

Kështu IEBV-ja thekson se opinioni publik ra pre e “dezinformimit të qëllimshëm, me akuzat e hedhura kundrejt Shoqërisë Kryemadhi”.

Për kompaninë, dokumentet dhe e vërteta janë të aksesueshme.

“Investimi dhe puna e përditshme po ashtu. Ne refuzojmë çdo shpifje, hamendje, apo dashakeqësi që keqinformon publikun për qëllime politike apo çfarëdo qëllimi tjetër”.

Nga ana tjetër, Kryemadhi theksoi se dy pensionistë kanë blerë biznese me vlerë 30 milionë dollarë dhe se gjithë ky evazion fiskal po denoncohet në një kohë kur kompania nuk gjendet.

“Për të humbur gjurmët, kompanitë shiten në persona të tjerë, pra blej fruta, shit zhavorr, blej ujë e shit hekur. Këta dy pensionistë kanë blerë biznese me 30 milionë dollarë. Gjithë ky evazion fiskal sot që bëjmë denoncimin kompania nuk gjendet”.

Ndalur te hetimet e SPAK-ut, inceneratori i Tiranës është ende nën hetim.

Prokuroria po kryen hetimet e nevojshme, mes të cilave përfshihet edhe marrja në pyetje e dy të moshuarve, të cilët rezultojnë pronar pa dijeninë e tyre.

Të fundit

Aktuale