Lajme

Evakuohen luftëtarët azov nga Mariupoli


Një operacion i gjatë i shpëtim-evakuimit gjatë natës ka bërë që rezistenca në Mariupol të mbyllet me shkëmbimin e luftëtarëve të rezistencës azove me pengje rusë të luftës.

Ishte zëvendësministrja e Mbrojtjes ukrainase, Hanna Maliar, ajo e cila lajmëroi e para se operacioni në fabrikën e çelikut dhe qymyrit në qytetin portual të Mariupolit kishte nisur, me 53 ushtarë të lënduar rëndë të transportuar drejt qytetit të Novoazovks.

Më pas, 211 të tjerë u evakuuan nëpërmjet korridoreve humanitare.

Kështu, duke e çuar në total numrin e ushtarëve të shpëtuar në 264.

“Ata janë heronjtë tanë”, do të theksonin nëpërmjet deklaratave për shtyp drejtues të lartë ushtarakë ukrainas.

Në një postim në median sociale Facebook, Ushtria e Ukrainës postoi mbi luftëtarët azov, duke ravijëzuar faktin se ishte pikërisht rezistenca e tyre, ajo e cila i dha Kievit kohë për të mbledhur rezervat, për t’u rigrupuar dhe për të marrë ndihmën e nevojshme nga partnerët.

Duke qenë se heronjtë ukrainas po mbahen aktualisht në qytetin e Novoazovks-ut, i cili është i uzurpuar nga forcat ruse momentalisht, një proces shkëmbimi pritet të ndodhë në ditët në vijim. Nuk dihet gjithsesi numri i saktë i rusëve të mbajtur peng, të cilët do të lirohen në këmbim të luftëtarëve.

Nëpërmjet fotografive të ndryshme që qarkullojnë në media, bota e pa se si evakuimi po ndodhte dhe se si operacioni u përmbyll me nxjerrjen e rezistentëve me sukses nga fabrika.

Vetë presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përsiati se “heronjtë i duhen gjallë vendit”, duke përgëzuar kështu operacionin dhe duke e përligjur atë.

Prej më shumë se dy muajsh në vijim, rrethimi i Mariupolit dhe Azovstalit merr fund kështu me një dorëzim të palës ukrainase.

Por, luftime të ashpra dhe intensive vijojnë të ndodhin në gjithë rajonin lindor të Ukrainës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore