Shqipëria

Eurostat: Ballkani Perëndimor me pagën minimale më të ulët


Sipas Eurostat, vendet e Ballkanit Perëndimor, janë nga vendet me pagën minimale më të ulët në Evropë.

Statistikat e pagës minimale, të publikuara nga Eurostat, i referohen pagave minimale kombëtare.

Paga minimale kombëtare zakonisht zbatohet për të gjithë punonjësit, ose të paktën për një shumicë të madhe të punonjësve në një vend. Zbatohet nga ligji, shpesh pas konsultimit me partnerët socialë, ose drejtpërdrejt nga një marrëveshje ndërsektoriale kombëtare.

Pagat minimale zakonisht paraqiten si norma të pagave mujore për fitimet bruto, domethënë para zbritjes së tatimit mbi të ardhurat dhe kontributeve të sigurimeve shoqërore të pagueshme nga punonjësi. Këto zbritje ndryshojnë nga vendi në vend. Pagat minimale kombëtare publikohen nga Eurostat çdo dy vjet. Ato pasqyrojnë situatën në 1 janar dhe 1 korrik të çdo viti.

Bazuar në nivelin e pagave të tyre minimale mujore bruto të shprehura në euro, më 1 janar 2021, shtetet anëtare të BE-së mund të klasifikohen në tre grupe të ndryshme.

Grupi 1, me një pagë minimale kombëtare nën 700 euro në muaj. Ky grup përfshin: Bullgarinë, Hungarinë, Rumaninë, Letoninë, Kroacinë, Çekinë, Estoninë, Poloninë, Sllovakinë dhe Lituaninë. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 332 euro në Bullgari në 642 euro në Lituani.

Grupi 2, me një pagë minimale kombëtare ndërmjet 700 euro por më e ulët se 1 500 euro në muaj. Ky grup përfshin: Greqinë, Portugalinë, Maltën, Slloveninë dhe Spanjën. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 758 euro në Greqi në 1 108 euro në Spanjë.

Grupi 3, me një pagë minimale kombëtare mbi 1 500 euro në muaj. Ky grup përfshin: Francën, Gjermaninë, Belgjikën, Hollandën, Irlandën dhe Luksemburgun. Pagat e tyre minimale kombëtare varionin nga 1 555 euro në Francë në 2 202 euro në Luksemburg.

Shqipëria është klasifikuar në grupin e 4 sipas tabelës, ku janë vendet e Ballkanit Perëndimor, me pagë shumë të ulët. Në këtë grup bëjnë pjesë: Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia. Kosova, e cila ka pagën minimale 170 euro në muaj, nuk përfshihet fare në këtë klasifikim.

Studim i bërë nga AlbanianPost

Statistikat e Eurostat-it marrin në analizë të dhënat nga viti 2011 deri në vitin 2020.

Në Shqipëri, hyri  në fuqi ligji i ri të pagës minimale, nga 1 janari i vitit 2021. Kjo pagë nga 26 mijë lekë që ishte në dhjetor të 2020-s është bërë 30 mijë lekë. Për të përfituar këtë pagë bazë, duhet që të kryhen 174 orë pune në muaj gjatë kohës normale të punës. Shtesat jepen mbi pagën bazë. Ky vendim hyri në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtriu efektet nga data 1 janar 2021.

Për vitin 2021, Shqipëria zë vendin e tretë në rajonin e Ballkanit Perëndimor për pagën minimale.

Shteti me pagën më të lartë minimale në rajon është Serbia me 331.91 euro në muaj. Në vend të dytë vjen Mali i Zi me 331.71 euro. Vendin e tretë e zë Shqipëria me pagën minimale prej 241.32 euro ( pas 1 janarit 2021). Në vendin e katërt renditet Maqedonia e Veriut me 233.97 euro në muaj. Në vendin e pestë dhe të gjashtë janë Bosnja dhe Hercegovina me pagën minimale 205 euro në muaj dhe Kosova me 170 euro.

Në studim u vu re se vetëm qeveria shqiptare, deri tani, e ka rritur rrogën minimale për 2021.

Të dhënat e përditësuara janë marrë nga fondacioni “WageIndicator”, i cili merret me llogaritjet e pagave minimale në mbi 140 shtete.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore