Përballje

Europa Leauge/ Lyon-i merr fitore të madhe në udhëtim te Porto, Betis-i mposhtet nga Frankfurti


Kanë përfunduar dy ndeshje të para të fazës së 1/8-ve të finales në Ligën e Evropës.

Skuadra e Lyon-it ka marrë një fitore të madhe, teksa mposhti në udhëtim Porto-n me rezultat minimal 0:1.

Pjesa e parë u karakterizua me disa raste të mira nga të dyja skuadrat, por 45 minutat e para nuk sollën gola.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 59-të, kur ish-futbollisti i Milan-it, Lucas Paqueta, kaloi francezët në epërsi, pas një asistimi të marrë nga Moussa Dembele.

Pas këtij goli, portugezët u hodhën në sulm dhe tentuan shumë herë të gjejnë golin e barazimit, të cilin e arritën në minutën e fundit të kohës shtesë, por goli u anulua nga sistemi VAR, për shkak të pozicionit jashtë loje.

Në fund Lyon-i merr një fitore tejet të rëndësishme, ndërsa ndeshja e kthimit do të zhvillohet pas një jave në Francë.

Fitore shumë të rëndësishme, ndoshta edhe befasuese ka arritur edhe Eintracht Frankfurt, të cilët mposhtën në udhëtim spanjollët e Real Betis-in, me rezultat 1:2.

Shifrat në këtë duel u zhbllokuan në minutën e 14-të, kur futbollisti i Frankfurtit, Filip Kostic, realizoi një gol të bukur, ku pas tentimit për të harkuar, topi përfundoi në rrjetë.

Në minutën e 30-të, spanjollët barazuan rezultatin me Nabil Fekir, i cili shënoi një gol shumë të bukur në hyrje të zonës.

Megjithatë, vetëm dy minuta më vonë, gjermanët përsëri rikthyen epërsinë, të cilët shfrytëzuan për më së miri një gabim të mbrojtjes së Betis-it, ku Daichi Kamada shënoi për 1:2.

Pjesa e parë përfundoi me epërsi të mysafirëve, teksa në fillim të së dytës ata patën një mundësi të artë për të shënuar golin e tretë, por Rafael Borre nuk u tregua i saktë nga penalltia.

Në vazhdim, Betis-i tenti shumë herë që të barazonte rezultatin, por Frankfurti arriti ta mbrojë epërsinë, për të marrë një fitore të madhe në fund.

Ndeshja e kthimit mes këtyre dy skuadrave do të zhvillohet pas një jave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore