Sport

Europa League/ Napoli kërkon të vulosë kualifikimin


Një ndeshje do të luhet këtë të mërkurë të 24 nëntorit në Europa League. Italianët e Napoli-t do të udhëtojnë në Rusi për t’u përballur me vendasit e Spartak-ut të Moskës.

Skuadrat janë pjesë e Grupit C. Së bashku me to janë edhe Legia e Varshavës ku luajnë tre shqiptarët, Ernest Muçi, Lirim Kastrati dhe Jurgen Çelhaka, si dhe Leicester-i.

Grupi C

Ndeshja do të luhet në “Otkritie Arena”, duke filluar nga ora 16:30. Vendasit janë të fundit në renditje me katër pikë. Napolitanët kryesojnë me tetë pikë.

Situata në këtë grup është paksa e komplikuar. Deri më tani nuk ka asnjë skuadër të kualifikuar për në raundin tjetër. Vetëm nëse Napoli arrin të marrë tri pikët në mbrëmje, atëherë do të kemi një skuadër të kualifikuar nga ky grup.

Nëse fitojnë vendasit, situata në Grupin C ndërlikohet akoma dhe më shumë dhe duhen pritur ndeshjet e fundit, për të mësuar se cilat janë dy skuadrat që kalojnë në raundin tjetër, cila shkon në Coference League dhe cila ndërpret rrugën në Kupa e Evropës.

Takimin e parë mes dy skuadrave, të luajtur në “Diego Armando Maradona” e fituan rusët me rezultatin 3-2. Një ndeshje që përveç pesë golave u karakterizua nga dy kartona të kuq dhe 11 të verdhë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore