Lajme

Eurodeputeti austriak: Tiroli Jugor mund të shërbejë si model për Asociacionin – Marrëveshja e Ohrit s’e ka as njohjen defacto


Lukas Mandl

Deputeti i Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, në një intervistë për Klan Kosova, teksa ka komentuar cështjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, tha se ky mekanizëm, sipas tij, duhet të themelohet në bazë të modelit të Tirolit Jugor.

“Rezultati duhet të jetë një strukturë e ngjashme me Tirolin Jugor. Sigurisht që komunat veriore të Kosovës nuk do të kenë një organ legjislativ të izoluar. Kjo do të shkaktonte rrëmujë. Por një vetëmenaxhim do të ishte në rregull; si në Tirolin Jugor. Duhet të mendojmë për njerëzit e rregullt që meritojnë një jetë të denjë”, tha ai.

Në këtë kontekst, ai theksoi se pret nga pala kosovare do t’i zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes së arritur fillimisht në Bruksel e pastaj në Ohër mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

“Kam besim të plotë tek zyrtarët e Kosovës që ta zbatojnë pjesën e Kosovës. Me Serbinë do të shohim. Me kalimin e viteve shumë gjëra janë premtuar por nuk janë realizuar ende”, tha Mandl, teksa shtoi se Plani Evropian nuk parasheh njohje, madje as defacto.

Kur ka folur për mungesën e aspektit më të rëndësishëm: nënshkrimet e dy lojtarëve kryesorë – kryeministrit Kurti, dhe presidentit Vuçiç – theksoi se pala serbe duhet të fillojë të sillet me përgjegjegjësi dhe të nënshkruaj.

“Udhëheqja serbe ka vendosur të demonstrojë një qasje me gjysmë zemre duke mos nënshkruar dhe ka lënë një derë të fshehtë për të lënë sërish logjikën e lirisë dhe paqes, të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Do të jetë një lehtësim për popullin serb kur liderët e tij vendosin të sillen me përgjegjësi dhe të nënshkruajnë”.

Tiroli Jugor

Tiroli Jugor është një provincë autonome brenda shtetit të Italisë me kryeqytet Bolzanon. Tiroli Jugor ka rreth 540 mijë banorë dhe sipas censusit të fundit të vitit 2011, 62.3 për qind kanë gjermanishten si gjuhë të parë, 23.4 për qind italishten, 4.1 për qind gjuhën e quajtur Ladine, derisa pjesa tjetër flasin gjuhë të tjera si gjuhë të para.

Provinca ka një nivel të lartë të vetë-qeverisjes, me të drejta të zgjeruara legjislative dhe ekzekutive dhe një regjim fiskal që e lejon të mbajë për vete 90 për qind të të ardhurave. Tiroli Jugor është provinca më e pasur në Itali dhe një nga më të pasurat në Bashkimin Evropian.

Qeveria lokale është e bazuar në Kushtetutën e Italisë që i jep status të autonomisë. Për shkak të një politike fiskale, provincës i lejohet të mbajë shumicën e taksave brenda për të ekzekutuar dhe administruar me kompetencat e veta.

Në këtë kontekst, tashmë po përmenden edhe modele të ndryshme në Evropë që do të mund të përdoreshin si shembull për të themeluar Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë, por më shumë se gjithë të tjerët ai i Tirolit Jugor në Itali.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore