Lajme

Eurodeputetët: Varhelyi ia “zbukuronte” Vuçiç-it raportet e progresit në Komisionin Evropian


Oliver Varhelyi

Parlamenti Evropian inicioi të mërkurën një hetim ndaj Komisionerit për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi, mbi dyshimet se nëpërmjet veprimeve të tij në Ballkanin Perëndimor, ka favorizuar Serbinë dhe kështu ka shkelur Kodin e Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian.

Eurodeputeti kroat, Tonino Picula, në një prononcim për gazetën opozitare serbe “Nova“, tha se thelbi i kërkesës për hapjen e një hetimi kundër Varhelyi është dyshimi se ai “minimizoi dështimet e Serbisë për të zbatuar reformat adekuate në lidhje me sundimin e ligjit dhe pavarësinë e institucioneve, çka bën të duket se është përpjekur ta sjellë Serbinë në një pozicion më të favorshëm”.

Sipas autorit të raportit për Strategjinë e re të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, bëhet fjalë për faktin se hartuesit e amendamentit vlerësuan se Varhelyi në politikën e zgjerimit ndjek më shumë agjendën e Hungarisë, pra Viktor Orban-it, i cili gjeti prehje te presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

“Nuk duhet të harrojmë se është veçanërisht problematike për faktin se edhe Orbani edhe Vuçiçi janë të prirur veçanërisht ndaj Putinit, i cili nisi agresionin kundër Ukrainës”, deklaroi ai.

Ndërkaq, eurodeputeti slloven Klemen Groshelj, theksoi se kjo ka të bëjë edhe me Serbinë, por mbi të gjitha me Bosnje-Hercegovinën ndërsa shtoi se në Bruksel ka rrjedhur një raport nga i cili mund të lexohet se Varhelji ka injoruar politikën e BE-së dhe ka promovuar Orban-in, si dhe populistët dhe të djathtën ekstreme në BE.

Viktor Orban dhe Aleksandër Vuçiç

“Kur bëhet fjalë për raportet vjetore të progresit, ai u kërkoi njerëzve në drejtoritë e tij që t’i përmirësonin gjërat. Ai promovoi një ide që është afër forcave politike për të cilat po flisja (populistët dhe e djathta ekstreme)”, tha Groshelj.

Varhelji, potencoi Groshelj, shihet gjithnjë e më shumë në Serbi si një lloj “oficeri ndërlidhës” mes politikanëve rajonalë lokalë që janë ideologjikisht të afërt me Orbanin kur dihet edhe sa i afërt është presidenti serb me kryeministrin hungarez nga i cili vazhdimisht merr mbështetje dhe të cilin edhe e ka dekoruar me medalje presidenciale.

Duke shpjeguar procedurën politike të mëtejshme lidhur me hetimin e komisionerit hungarez, Groshelj potencoi se ajo është çështje e padefinuar dhe se Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim për të vazhduar tutje apo për ta kryer hetimin.

“Tani është një sfidë politike. Nëse Komisioni hesht, ky është qëndrimi i tyre politik. Nëse ata reagojnë, është përsëri një qëndrim politik. Ky është një rekomandim shumë i keq politik për komisionerin. Dhe ky është në fakt një mesazh që shumica në Parlamentin Europian nuk ka besim te komisioneri Varhelyi”, përfundoi ai.

Ndryshe, eurodeputeti holandez, Thijs Reuten, i cili ndihmoi në hartimin e raportit të parlamentit, përmes një cicërime në rrjetin social Twitter, njoftoi se kërkesa e tij është aprovuar dhe se pret me padurim rezultatet e hetimit.

“Me 357 vota pro, 180 kundër dhe 95 abstenime, Parlamenti Evropian ka miratuar kërkesën e time ndaj Komisionit për ta hetuar komisionerin Varhelyi rreth rolit të tij në Ballkanin Perëndimor. Mirëpresë përfundimin e këtij hetimi”, shkroi Reuten.

Ai tha të mërkurën se “roli i komisionit është të mbrojë integritetin territorial të Bosnjë dhe Hercegovinës, të promovojë demokracinë në Serbi dhe të sigurojë paqen dhe stabilitetin në Mal të Zi dhe Kosovë. Jo e kundërta”.

Në fillim të muajit janar, Vuçiç sulmoi BE-në për kërkesën e tyre që ai t’i vendosë sanksione Rusisë, duke i quajtur ato një ndërhyrje “brutale” në punët e brendshme të vendit të tij. Ngjashëm veproi edhe Orbani, i cili kritikoi sanksionet e BE-së, duke thënë se ato dëmtojnë më shumë ekonominë hungareze.

Gjithashtu, përveç lidhjeve të Varhelyit me Orban-in dhe Vuçiç-in, thuhet se është shumë i afërt edhe me liderin nacionalist të entitetit serb në Bosnje dhe Hercegovinë, Milorad Dodik, ndaj të cilit Parlamenti Evropian ka kërkuar vendosjen e sanksioneve.

“Raportet e vazhdueshme për komisionerin e Orban-it që shoqërohet me autokratë për të minuar demokracinë kërkojnë veprim të menjëhershëm”, tha Reuten, i cili është edhe raportues për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën në legjislativin e BE-së.

“Mbështetja e qëndrimeve nacionaliste dhe separatiste të Dodik nuk do të ishte vetëm kundër Kodit të Sjelljes për anëtarët e Komisionit Evropian, por edhe lojë me zjarrin”, shtoi ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore