Shqipëria

Euro fiton terren ndaj Lekut


Viti 2023 ka hyrë pozitivisht për monedhën Euro.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të enjten me 116.09 lekë, në rritje me 1.55 pikë krahasuar me të mërkurën dhe me 1.86 pikë krahasuar me fundin e vitit 2022.

Festat e fundvitit panë një rënie historike të valutës evropiane euro në tregun shqiptar.

Sa i përket vitit 2022, prej fillimit të tij, me gjithë krizën e inflacionit pas luftës në Ukrainë, euro është zhvlerësuar me 6.44%, duke kaluar nga nivele mesatarisht 125 lekë në 113 lekë përgjatë muajve të fundit.

Më 27 qershor, euro do të kapte nivelin më të ulët në 14 vite, kur u vlerësua me 119.24 lekë.

Kjo gjithsesi, do të ishte thjesht nisja e një rënieje edhe më të madhe të monedhës kryesore në kontinentin e vjetër.

Ndër arsyet kryesore që ekspertët radhitën, ishte oferta e euros në treg, e cila gjatë gjithë kohës është paraqitur e lartë.

Disa ngjarje, si finalja e UEFA Conference League, një sezon i mirë veror apo edhe aktivitete të tjera, e çuan monedhën evropiane në zhvlerësim.

Një faktor, sipas ekspertëve, ka qenë edhe lufta në Ukrainë, duke i shtuar në gjithë këtë krizën e pandemisë COVID-19, paraprirëse ndaj luftës, e cila solli zhvlerësim të euros.

Pas sezonit të mirë veror dhe pushuesve të shumtë të ardhur në vend, festat e fundvitit po ndikojnë edhe ato në zhvlerësimin e mëtejshëm.

Oferta e lartë, është ndikuar kështu edhe nga rritja e turizmit në gjithë Shqipërinë, pas ofrimit të një sezonin më të gjerë turistik dhe atij në të 365 ditët e vitit, ku mund të ofrohet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore