Sport

Euro 2024, Gjasula flet para Polonisë: Kanë kualitet, kënaqemi edhe me një pikë


Klaus Gjasula

Kur kanë mbetur vetëm tre ditë nga sfida e parë kualifikuese kundër Polonisë, e vlefshme për Kampionatin Europian 2024, Kombëtarja shqiptare vijon të përgatitet në mënyrë intensive.

Teksa iu përgjigj interesit të mediave, Klaus Gjasula nënvizoi se atmosfera në kampin kuqezi është shumë e mirë dhe ka shumë optimizëm se në Poloni, kuqezinjtë do të bëjnë mirë. Mesfushori shqiptar u shpreh se ndaj Polonisë vlen vetëm rezultati pozitiv, ndërsa foli edhe për trajnerin Silvinjo dhe pozicionin e tij në fushë me teknikun e ri.

Gjendja Fizike?

Gjendja fizike është në rregull. Luajta 20 minuta në ndeshjen e fundit, isha ok, por të shohim si ecën stërvitja dhe se si do të vendosë trajneri. Por unë dua të kem minuta, do të jap maksimumin nëse luaj, dua të ndihmoj shokët.

Qendra e mbrojtjes ?

Po, do të isha gati të luaja edhe në qendër të mbrojtjes. Jam mësuar me atë rol. E vendos trajneri, por jam gati të luaj në mbrojtje.

Atmosfera?

Kemi një frymëmarrje të re, trajneri ka shumë energji. Do të provojmë të japim maksimumin dhe të marrim një rezultat pozitiv. Jemi optimistë që do të bëjmë mirë.

Trajneri Sylvinho?

Çdo trajner ka idetë e veta për të luajtur futboll. Kemi një skemë të re, të gjithë janë dakord dhe do të japin maksimumin për të arritur objektivin tonë. Trajneri na është dukur shumë mirë në ditët e para, me shumë emocion dhe energji, ka qenë shumë mirë deri tani. Trajneri Silvinjo na ka treguar idetë e veta, edhe pse nuk ka shumë kohë në krye të kombëtares. E dimë që në të ardhmen do të bëhet më mirë, duke kaluar më shumë kohë së bashku.

Ndeshja kundër Polonisë?

Ne shkojmë në Poloni për të kapur maksimumin, por edhe një pikë është mirë.

Ndeshjet e kaluara me Poloninë?

Të dy ndeshjet me Poloninë kanë treguar se mund të marrim të paktën një pikë. Ata kanë kualitete të mira. Do të jemi shumë të përqendruar që të mos bëjmë gabime. Kjo është ajo që ka më shumë rëndësi për atë ndeshje.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore