Sport

Euro 2020, Ukraina detyrohet të ndryshojë dizajnin e fanellës


Ukraina tërhoqi shumë vëmendje, kur publikoi fanellat që do të përdorte për ndeshjet e Euro 2020. Më saktë ishte harta e vizatuar në pjesën e përparme të fanellës, ajo që tërhoqi vëmendjen, së bashku me dy shprehjet e përdorura.

Harta ishte e shtetit të Ukrainës, por në brendësi të saj ndodhej edhe territori i Krimesë, çka solli reagimin e Rusisë, mbi këtë “çështje politike”.

Sikur të mos mjaftohej me kaq, Ukraina kishte të shënuar në fanellë edhe frazat “Lavdi Heronjve” dhe “Lavdi Ukrainës”. E gjitha kjo solli që UEFA të reagojë dhe t’i kërkojë Ukrainës të ndryshojë dizajnin në fanellë.

Por, çfarë lidhje ka kjo situatë me Rusinë?

Në vitin 2014, Rusia arriti të aneksonte nga Ukraina gadishullin e Krimesë me anë të forcës ushtarake, duke e konsideruar atë si pjesë të saj, por që nuk është pranuar kurrë ndërkombëtarisht.

Kreu i Federatës së Futbollit të Ukrainës (UAF), Andriy Pavelko, publikoi një video në rrjetin social Facebook, ditën e diel, ku prezantonte fanellat e reja të Ukrainës, me të cilat do të luhej në Euro 2020.

Pjesa e përparme e bluzave tregonte kufijtë e Ukrainës, duke përfshirë në to Krimenë dhe dy rajonet lindore Luhansk-un dhe Donetsk-un. Ky i fundit është shumë i njohur në futbollin evropian, pasi prej tij vjen ekipi i Shakhtar-it.

Dy parrulla ishin të shkruajtura (qepura) në anën e pasme të fanellës, në brendësi të saj. E para, shkruante “Lavdi Ukrainës” dhe e dyta shkruante “Lavdi Heronjve”.

Të dyja parrullat janë përdorur si përshëndetje zyrtare ushtarake në Ukrainë dhe kanë qenë thirrje të protestuesve që dëbuan Presidentin pro-Rus, Viktor Janukoviç-in në 2014.

Por, orgjina e tyre është më e largët. Për herë të parë, të dy shprehjet janë përdorur në kryengritjet anti-Sovjetike, në Ukrainë kohë më parë.

“Ne besojmë se silueta e Ukrainës do t’u japë forcë lojtarëve, sepse ata do të luftojnë për të gjithë Ukrainën”, tha Pavelko.

Nuk ka mbetur pa reaguar as presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas publikimit të fanellave. Në rrjetin social Instagram, presidenti ukrainas shkruante se “fanella e re e ekipit kombëtar të futbollit ukrainas në fakt nuk është si të tjerat”.

“Di të trondisë. Ka shumë simbole të rëndësishme, të cilat bashkojnë popullin ukrainas”, përfundoi Zelensky.

Trajneri i Ukraines, Andriy Shevchenko, tha se atij nuk i interesonte se cili ishte reagimi i Rusisë.

Ndërkohë, ka reaguar zëdhënsja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, e cila kritikoi fenallat dhe i krahasoi parrullat me thirrje tubimi naziste.

Edhe deputeti rus, Dmitry Svishchev-i, e kishte quajtuar fanellën “krejtësisht të papërshtatshme” dhe kërkoi që UEFA të merrte masa.

UEFA tashmë i ka bërë thirrje zyrtare Ukrainës për të ndryshuar dizajnin e fanellave, ndërkohë që ka reaguar kreu i UAF, Pavelko.

“Mbrëmjen e kaluar morëm një letër me vendimet e UEFA-s në lidhje me uniformën e re të ekipit kombëtar të Ukrainës. Këtë mëngjes fluturova urgjentisht në Romë, ku vazhdoj të negocioj me përfaqësuesit e unionit”, tha Pavelko.

“Në letrën e saj, UEFA konfirmon që modeli i uniformës sonë është para-aprovuar së bashku me mbishkrimin ‘Lavdi Heronjve’”.

“Kjo parullë ka qenë prej kohësh një urim tradicional për tifozët tanë, në të gjitha ndeshjet e ekipit kombëtar të Ukrainës. Slogani është futbolli, prandaj u miratua. Disa ditë më parë, UEFA e konfirmoi këtë në një koment zyrtar”.

“UAF gjithmonë ka respektuar parimet ndërkombëtare të sportit dhe ka ndjekur rregullat që rregullojnë autoritetet më të larta të futbollit. Kështu ishte tani dhe do të jetë kështu në të ardhmen”, përfundoi Presidenti i UAF.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore