Euro 2020

Euro 2020/ Nga Londra, në Bukuresht dhe Amsterdam, tre sfidat e ditës


Kampionati Evropian i Futbollit ka hyrë në ditën e tretë tashmë. Të dielën e 13 qershorit do të luhen tre ndeshje: Angli – Kroaci, Austri – Maqedoni e Veriut dhe Holand – Ukrainë.

Ndeshja hapëse e ditës së diel në Euro 2020, do të jetë ajo në Grupin D, midis Anglisë dhe Kroacisë. Sfida do të luhet në “Wembley” të Londrës, duke filluar nga ora 15:00. Të pranishëm pritet të jenë 22 mijë e 500 tifozë.

Anglia ka marrë pjesë në 10 nga 16 Evropianët e mundshëm, së bashku me Euro 2020. Por, asnjë herë nuk ka fituar trofeun apo të shkonte në finale.

Kroacia e ka herën e gjashtë që merrë pjesë në Evropian, pa përfshirë pjesëmarrjen kur ishte pjesë e Jugosllavisë. Gjithashtu edhe për kroatët nuk ka asnjë trofe në këtë kompeticion. Gjyqtari kryesor i takimit do të jete italiani, Daniele Orsato.

Dy sfidat e tjera që do të luhen, janë në Grupin C. Në Bukuresht, duke filluar nga ora 18:00, do të luhet sfida midis Austrisë dhe Maqedonisë së Veriut, në “Arena Nationala”. Të pranishëm pritet të jenë 13 mijë tifozë.

Austria ka marrë pjesë në Evropian edhe dy herë të tjera, përveç Euro 2020, ndërsa Maqedonia e Veriut është debutuese këtë kampionat së bashku me Finlandën. Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë suedezi, Andreas Ekberg.

Ndeshja e fundit e të dielës në Euro 2020 do të luhet në Amsterdam. Holanda do të presë Ukrainën në “Johan Cruyff Arena”. Të pranishëm pritet të jenë 16 mijë tifozë.

Holanda e ka herën e 10 që merre pjesë në këtë kompeticion. Holandezët ia kanë dal ta fitojnë një herë trofeun, atë të Euro 1988.

Ukraina e ka herën e tretë që kualifikohet në Evropain, pa përfshirë herët e tjera kur ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik. Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë gjermani, Felix Brych.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore