Euro 2020

Euro 2020/ Danimarka përballet me Finlandën, fakte dhe statistika


Kur kanë përfunduar ndeshjet e para të Grupit A, Turqi – Itali dhe Uells – Zvicër, radhën e kanë skuadrat e Grupit B. Ndeshja e parë në Grupin B, do të jetë ajo midis Danimarkës dhe Finlandës, e cila do të fillojë nga ora 18:00.

Danimarka do të presë Finlandën në “Parken Stadium” të Kopenhagenit. Në stadiumin e kryeqytetit danez pritet të jenë rreth 15 mijë e 900 të pranishëm. Gjyqtari kryesor i takimit do të jetë anglezi, Anthony Taylor.

Për Danimarkën kjo është hera e nëntë që merrë pjesë në Evropian, ndërsa Finlanda është debutuese. Për herë të fundit, Danimarka ka qenë pjesë e Euro 2012.

Danimarka arriti të shpallet kampione e Euro 1992, duke mposhtur në finale Gjermaninë, me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga John Jensen-i dhe Kim Vilfort-i.

Në Euro 1964, danezët përfunduan të katërit, në Euro 1984 arritën deri në gjysmëfinale, ndërsa në Euro 2004 shkuan deri në çerekfinale.

Skuadra e Danimarkës është një nga pesë skuadrat që ka arritur në Euro 2020 e pamposhtur në fazën e grupeve, së bashku me Belgjikën, Italinë, Spanjën dhe Ukrainën.

“Parken Stadium” është stadium fatsjellës për Danimarkën, ku numëron 61 fitore, 25 barazime dhe 18 humbje. Në 11 ndeshjet e fundit të luajtura në këtë stadium, Danimarka ka humbur vetëm një ndeshje, atë kundër Belgjikës (0-1).

Finlanda është një nga dy kombëtaret debutuese në Euro 2020, së bashku me Maqedoninë e Veriut. Ata i janë afruar një kompeticioni Euro në 2008, por pa arritur të shkojnë në ndeshjet finale. Ky është turneu i parë i rëndësishëm që merrë pjesë Finlanda, pasi nuk ka qenë as në një Kupë Bote.

Në katër ndeshjet e fundit, që nga viti 2000, që dy kombëtaret kanë luajtur përballë njëra-tjetrës, Danimarka ka fituar dy perballje, si dhe ka humbur dhe ka barazuar nga një herë.

Ndeshja e fundit që kanë luajtur përballë dy kombëtaret ishte në nëntorin e 2011, ndeshje miqësore, e përfunduar me fitoren e Danimarkës me rezultatin 2-1.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore