Euro 2020

Euro 2020, arrestohen pesë persona për sulme raciste


Pesë persona janë arrestuar pasi futbollistët e Anglisë u abuzuan në mënyrë raciste në internet, pas humbjes së tyre në finale të Euro 2020.

Midis tyre një 42-vjeçar nga Runcorn, i cili u arrestua nën dyshimin e shfaqjes sё materialeve të shkruara kërcënuese, abuzive ose fyese të cilat mund tё nxisin urrejtjen racore.

42-vjeçari po hetohet ndёrkohё i lirё.

Marcus Rashford, Bukayo Saka dhe Jadon Sancho u shënjestruan pasi ata humbën penalltitë në finalen e Euro 2020.

Shefi i policisё sё Britanisё, Mark Roberts tha mё herёt se do tё identifikojё kёdo qё qёndron mbrapa sulmeve dhe do t’i vendosё pёrballё pasojave tё kёtyre veprimeve “tё turpshme”.

Policia lajmёroi se “një lumë komentesh raciste që synonin disa nga lojtarët me ngjyrё të ekipit” u shfaqën në platformat e mediave sociale të dielën, pasi Anglia humbi me penallti ndaj Italisë në finalen në Wembley.

“Ekipi po punon me një numri të konsiderueshëm raportesh të abuzimit racist”, deklaroi njёsia e Policisё sё Futbollit nё Britani.

Ngjarja nё fjalё u shoqёrua me kritika dhe reagime tё shumta.

Trajneri i Anglisё, Gareth Southgate e quajti sulmin ndaj Rashford, Sancho dhe Saka “tё pafalshëm”.

Po ashtu kryeministri Boris Johnson ka premtuar të ndalojë nga pjesёmarrja nё ndeshje personat fajtorë për abuzimet raciste.

Njësia e Policisë së Futbollit në Mbretërinë e Bashkuar tha, që nga 13 korriku, 897 incidente të lidhura me futbollin dhe 264 arrestime ishin regjistruar në të gjithë vendin në periudhën 24-orëshe përreth finales.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore