Kosova

“Është në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit”, reagon Bislimi pas BE-ja i kërkoj Kosovës të përfaqësohet me fusnotë


Zëvendës-kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi përmes një cicërime në rrjetin e tij social Twitter, ka reaguar pasi që ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, iu kërkua që të përfaqësohej me fusnotë për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve për Turqinë dhe Sirinë pas tërmetit.

“Është e padrejtë si dhe në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit dhe karakterin e kësaj konference. Kosova është një partner i besueshëm për aleatët e saj, organizatat ndërkombëtare dhe iniciativat e përbashkëta”, shkroi Bislimi në Twitter.

Ai shtoi se përkundër dëshirës së Kosovës, “ndihma dhe mbështetja jonë u pamundësua sot nga organizatori”.

“Republika e Kosovës është treguar bujare në ndihmën e saj për të prekurit nga tërmetet shkatërruese të muajit të kaluar. Por ylli i papranueshëm e pengoi Kosovën dhe ministrin e Financave, Hekuran Murati nga pjesëmarrja në konferencën e sotme të donatorëve për ndihmë të mëtejshme”, potencoi ai.

Ndryshe, në konferencën e donatorëve të organizuar nga Bashkimi Evropian për t’i dalë në ndihmë Turqisë dhe Sirisë pas tërmetit, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka njoftuar që Kosova nuk është lejuar që të merr pjesë, përkundër dëshirës së saj pasi që i është kërkuar që të përfaqësohet me fusnotë.

“Fatkeqësisht, vendi im nuk mundi të merrte pjesë dhe të kontribuonte për shkak të trajtimit jokorrekt dhe diskriminues nga organizatori, i cili këmbënguli në përdorimin e yllit në kundërshtim me shkronjën e marrëveshjes fillestare të Brukselit dhe frymën e konferencës së sotme”, ka shkruar Murati në rrjetin e tij social në Twitter.

Tutje, ai përshkroi sfidat që kaloi për të arritur tek destinacionin ku do të mbahej konferenca dhe shprehu gatishmërinë e qeverisë që e përfaqëson për mbështetje financiare për vendet e prekura nga tërmeti.

”U deshën ndërrimi i tre aeroplanëve për të arritur sot në Bruksel për të marrë pjesë në konferencën e donatorëve në mbështetje të njerëzve të Turqisë dhe Sirisë të prekur nga tërmetet shkatërruese. Qeveria e Kosovës dëshiron të zotohet për mbështetje financiare dhe të jetë pjesë e të gjitha ndërkombëtareve. përpjekjet për të ndihmuar“, ka deklaruar Murati.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore