Lajme

Escobar të mërkurën në Kosovë, takohet me Osmanin


Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.

Emisari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar, do të jetë për vizitë të mërkurën e 18 tetorit në Prishtinë.

Gjatë vizitës së tij ai do të takohet me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Këtë e ka bërë të ditur zyra e Presidencës.

“Në orën 08:45, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-ve, njëherësh të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar”, thuhet në njoftim.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe emisari special i SHBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Gabriel Escobar.

Në njoftim është theksuar se pas takimit Osmani dhe Escobar, do të kenë deklaratë për media.

Ndërkaq, është raportuar se përveç takimit me Osmanin, Escobar pritet që të ketë takim edhe me kryeministrin, Albin Kurti dhe liderët opozitarë.

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në gusht të këtij viti kishte zhvilluar një takim në Kosovë.

Ai gjatë këtij takimi përveç se ishte takuar me krerët e shtetit kishte takuar edhe liderët e opozitës kosovare, përkatësisht me Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Më 1 shtator Kosova kishte hapur afatin për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.

Qytetarët do të kenë kohë deri në fund të tetorit që të konvertojnë targat serbe me akronime serbe për qytete të Kosovës sikurse KM, PR, PZ e të ngjashme në targat RKS.

Më 17 tetor, zgjidhje urgjente për targat kishte kërkuar edhe Lajçak gjatë takimit që zhvilloi në Beograd me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Ai tha se çështja e targave, dhe ajo e energjisë ishin në agjendën e bisedimeve.

Për targat, normalizimin e raporteve dhe çështjen e energjisë, Lajçak bisedoi javën e kaluar edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore