Lajme

Escobar pritet ta vizitojë Kosovën gjatë janarit


Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar

Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar, pritet ta vizitojë Kosovën gjatë muajit janar.

Sipas burimeve të Albanian Post, diplomati amerikan mund ta vizitoj Kosovën gjatë javës së dytë të janarit, kur pritet të vijë në Kosovë ambasadori i ri i SHBA-ve, Jeffrey Hovenier, i cili edhe do të dorëzojë letrat kredenciale presidentes, Vjosa Osmani.

Ambasada Amerikane nuk ka lëshuar ende një njoftim zyrtar për vizitën e Escobar në Kosovë.

I ngarkuari amerikan për Ballkanin Perëndimor më parë ka vizituar Bosnjën dhe Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë dhe Shqipërinë.

Kosova dhe Serbia janë dy vendet që nuk i ka vizituar ende.

Vizita e tij në Kosovë mund të jetë inkurajuese për Qeverinë si në raport me bisedimet me Serbinë, po ashtu edhe në raport me marrëdhëniet amerikane dhe në luftën kundër krimit dhe korrupsionit në vend.

Escobar tashmë është duke u pozicionuar qartazi pro idesë së “Open Balkan”.

Open Balkan

Gjatë vizitës së tij në Mal të Zi, Podgorica zyrtare i ka thënë më shumë një “po” Escobarit për “Open Balkan” se sa një “jo”, gjë që në rast të hyrjes së Malit të Zi në këtë iniciativë, Bosnja dhe Hercegovina si një vend i destabilizuar dhe Kosova mbesin vendet e vetme jashtë saj, si dy vende barrikaduese dhe jo bashkëpunuese.

Nuk duhet harruar se Mali i Zi kishte dërguar në Shkup në fillet e iniciativës së “Open Balkan” ministren e ekonomisë për të parë idenë nga afër.

Për SHBA-në ideja e “Open Balkan” është e vlefshme vetëm nëse participon Ballkani në tërësi, gjë që ata në këtë drejtim do të bëjnë përpjekje maksimale që të jenë të gjitha vendet.

Nga ana tjetër Kosova e ka refuzuar me ngulm këtë iniciativë.

Me 28 dhjetor Jeffrey Hovenier është betuar si ambasador i ri i SHBA-ve në Kosovë, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Hovenier e ka kryer betimin para nënsekretares amerikane të Shtetit për Çështje Politike, Victoria Nuland.

Ai është diplomat karriere i shërbimit të jashtëm amerikan, i cili ka qenë pjesë e stafit të të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara për statusin e Kosovës, presidentit Martti Ahtisaari.

Në një seancë dëgjimore para Komitetit të Senatit për Marrëdhënie me Jashtë në muajin tetor të vitit të kaluar, Hovenier ka deklaruar se, nëse konfirmohet në postin e ambasadorit, ai do ta ketë prioritet vazhdimin e mbështetjes amerikane për një Kosovë sovrane e demokratike.

Gjithashtu, ai ka thënë se do ta inkurajojë Kosovën për konstruktivitet dhe fleksibilitet në bisedimet në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Presidenti amerikan, Joe Biden në muajin korrik të vitit të kaluar kishte nominuar Hovenier për ambasador në Kosovë, ndërsa për ta marrë detyrën ai, ka qenë i nevojshëm edhe konfirmimi i Senatit.

Hovenier do ta zëvendësojë në këtë pozitë ambasadorin e deritanishëm amerikan, Philip Kosnett, mandati i të cilit tashmë ka përfunduar.

Kosnett është larguar nga Kosova pak muaj më parë, ndërsa në detyrë ka mbetur zëvendësi i tij, Nick Giacobbe.

Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore