Lajme

Escobar në Kosovë, fillimisht takohet me opozitën


Gabriel Escobar

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Esocbar, këtë të enjte do të takojë përfaqësuesit e partive opozitare.

Takimi pritet të mbahet në ambasadën amerikane në Kosovë.

Ndërsa të premten top-diplomati amerikan, Escobar, pritet takohet edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

Escobar do të jetë në Prishtinë, pas vizitës në Beograd, i cili do të përqendrohet në sigurimin e një pajtimi rreth zbatimit të planit të Marrëveshjes për normalizimin e raporteve, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por Kosovës përveç themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe i kërkohet që së bashku me Serbinë ta formalizojnë statusin e Kishave Ortodokse Serbe.

Ndryshe Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë shprehur rezervat e tyre ndaj planti franko-gjerman, për shkak të mungesës së njohjes reciproke.

Emisari i SHBA-ve, Escobar, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kishte thënë se pret që Kosova dhe Serbia të arrijnë shpejt një marrëveshje për zbatimin e krejt asaj çfarë iu kërkohet nga BE-ja dhe SHBA-të.

Ndërsa në komunikatën e Presidencës së Serbisë, pas takimit me Escobar, thuhej se është diskutuar procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, formimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe mundësitë për gjetjen e zgjidhjeve përmes kompromisit.

“Presidenti Vuçiç përsëriti qëndrimin e pandryshuar të Serbisë në lidhje me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon dhe zgjidhjen e çështjeve të hapura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, me theks në zbatimin e plotë të marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani dhe ruajtjen e interesave shtetërore dhe kombëtare”, thuhej në komunikatë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore